Rajoni

Sherri në lokalin në Prishtinë, një viktimë e 20 të plagosur!

Rëndohet bilanci i sherrit masiv me armë zjarri e mjete prerëse në një lokal nate në Prishtinë, një viktimë e 20 të plagosur.  Fillimisht u njoftua për 17 të lënduar. Rreth mesnate, policia e Kosovës mori njoftim për të shtëna e shkoi në vendngjarje, në rrugën “Rexhep Luci”. Mediat bënë të ditur se forcat e rendit arrestuan të dyshuarin kryesor, i cili mbeti i lënduar e po merr trajtim spitalor.

Viktimë mbeti një 39-vjeçar, i cili ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spital. Policia informon se ngjarja ndodhi pas një mosmarrëveshjeje në lokal mes disa personave e më pas sherri degjeneroi deri në përdorimin e armëve të zjarrit.

Si pasojë e të shtënave, katër vetë morën plagë dhe u dërguan në spital. Fatkeqësisht 39-vjeçari nuk mundi t’iu mbijetojë dëmtimeve e ndërroi jetë në spital.

Më herët, zëdhënësi i policisë Agron Borovci njoftonte:

Rreth orës 23:30 u raportua për të shtëna me armë zjarri, në një lokal  në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi. Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes, si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore.

Aktualisht, së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në këtë rast dhe po punohet për identifikimin e të tjerë të dyshuarve të mundshëm. Ndërkohë, një person tjetër i dyshuar për ngjarjen është shpallur në kërkim.