Bota Health & Beauty

Shkencëtarët kanë një tjetër ilaç efikas për Alzheimerin/Mund të jetë fillimi i fundit të sëmundjes!

Një ilaç i dytë për demencën u vërtetua se ka funksionuar gjatë një prove klinike, sipas “The Sun UK”. Shkencëtarët thonë se po hyjnë në një epokë të re të trajtimit të Alzheimerit. Provat e medikamentit me emrin Donanemab treguan se frenon dëmtimin e trurit te pacientët me sëmundjen. Gjysma e simptomave të tyre nuk u përkeqësuan për të paktën një vit. Ata që merrnin ilaçin kishin mesatarisht 35% më pak rënie te gjendjes mendore pas 18 muajsh.

Pacientët e testuar ishin më të aftë për të zhvilluar biseda, menaxhuar paratë ose shijuar pasionet krahasuar me njerëzit që nuk u trajtuan me këtë medikament.

“Donanemab” funksionon duke zbërthyer pllakat e dëmshme amiloide që krijohen në tru dhe është ilaçi i dytë i provuar klinikisht që e kryen këtë funksion. Dr.Richard Oakley, drejtor i kërkimit në Shoqërinë e Alzheimerit:

Pas 20 vjetësh pa barna të rinj për Alzheimerin, ne tani kemi dy ilaçe të reja të zhvilluara në vetëm dymbëdhjetë muaj. Ky mund të jetë fillimi i fundit të sëmundjes.

Dr. Marc Busche i Institutit te Kërkimeve për Demencën në Britaninë e Madhe:

Kjo provë klinike është një zbulim i vërtetë, ku u demonstrua një ngadalësim i jashtëzakonshëm i rënies njohëse. Unë besoj se kjo terapi ka potencialin për të përmirësuar ndjeshëm jetën e pacientëve dhe familjeve në ditët e sotme.

Prova u krye nga prodhuesi amerikan i medikamenteve “Eli Lilly” dhe përfshiu 1736 persona, për të krahasuar progresin e demencës te pacientët me dhe të pa trajtuar me ilaçin. Të gjithë ishin të moshës 60 deri në 85-vjeç, të diagnostikuar me Alzheimer në fazën e hershme.

Studimi zbuloi se personat me simptoma më të lehta përfituan më shumë nga Donanemabi, por edhe ata në gjendje më të keqe patën gjithashtu përmirësime. Demenca është shkaku kryesor i vdekjeve në Britanine e Madhe.

Rreth 900 mijë britanikë vuajnë nga demenca dhe numri i tyre pritet të rritet në një milion deri në vitin 2025. Aktualisht, nuk ka asnjë kurë apo mënyrë për të ngadalësuar sëmundjen fatale, e cila u rrëmben të sëmurëve kujtesën, inteligjencën dhe forcën fizike.

Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar paralajmërojnë se NHS tani duhet të përgatitet për t’u marrë ilaçe pacientëve. Dr. Oakley shtoi:

Ne kemi nevojë për vendime sa më shpejt të jetë e mundur nga rregullatorët, por ky nuk është fundi i historisë.