Një studim i ri ka ngritur shqetësime mbi përdorimin afatgjatë të glukozaminës, një suplement shumë i përhapur pa recetë që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të kyçeve.
Përdorimi i rregullt i saj mund të lidhet me një rrezik më të lartë të përparimit të demencës, sipas Reuters-it.
Studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të mbledhura mes viteve 2012 e 2024 nga afro 60 mijë pacientë, me nivele të ndryshme të dëmtimit njohës.
Rezultatet treguan se personat që përdornin rregullisht glukozaminë kishin 25% më shumë gjasa të zhvillonin demencë, krahasuar me ata që nuk e përdornin.
Studimi zbuloi gjithashtu se te pacientët që tashmë vuanin nga demenca, përdorimi i glukozaminës shoqërohej me një rritje prej 25% të rrezikut të vdekjes gjatë periudhës së vëzhgimit.
Ky efekt nuk u vu re te personat me dëmtim të lehtë njohës, duke sugjeruar se ndikimi i suplementit mund të jetë më i madh në fazat e avancuara të sëmundjes. Për të kuptuar mekanizmin e mundshëm, shkencëtarët kryen edhe eksperimente në kafshë.
Ata zbuluan se glukozamina mund të përkeqësojë një proces të njohur si hiperglikozilim, ku molekulat e sheqerit lidhen në mënyrë jonormale me proteinat në tru, duke penguar funksione të rëndësishme neurologjike.
Bashkautori i studimit, Matt Gentry, theksoi se të dhënat janë shumë provokuese, por nuk provojnë ende një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Sipas tij, rezultatet ngrenë një pyetje të rëndësishme klinike që meriton hetime të mëtejshme.
Një koment shoqërues i botuar së bashku me studimin në “Nature Metabolism”, sugjeron se procesi i glikozilimit mund të jetë një objektiv i ri terapeutik në luftën kundër demencës.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten studime të tjera përpara se të rekomandohet ndryshimi i përdorimit të glukozaminës tek pacientët