Aktualitet

Shqipëria do t’i drejtohet Këshillit të Europës me rezolutë për raportin e Dick Marty-t!

“Shqipëria po përgatit një rezolutë drejtuar Këshillit të Europës mbi pabazueshmërinë totale të raportit të Dick Marty-t, si dhe ndikimin rus mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë e të trafikut të organeve”. Kjo u deklarua sot në Prishtinë nga kryeministri Rama, pas mbledhjes së dy qeverive ku u firmosën 19 marrëveshje.

Ne jemi duke përgatitur një rezolutë për Kuvendin e Shqipërisë dhe unë do të shkoj personalisht në Strasburg në rastin më të parë, shpresoj në shtator, për t’iu drejtuar Këshillit të Europës për një fakt që bëhet gjithmonë e më shqetësues në këndvështrimin tonë, pabazueshmëria totale e raportit të Dick Marty-t si dhe influenca ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe të trafikut të organeve.

Kjo duke pasur parasysh që akuza e trafikut të organeve është një akuzë e përsëritur edhe në kontekste të tjera nga ana e propagandës ruse, duke pasur parasysh që edhe në Këshillin e Sigurimit, Rusia ka goditur përsëri me një fjalim të ambasadorit të saj duke u rikthyer te trafiku i organeve edhe duke pasur parasysh që në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, nuk ka as edhe një fakt të lidhur me Dick Marty-n dhe raportin e tij që ishte shkaku që u mor gjithë rruga për të shkuar te Gjykata Speciale.

Dikush duhet të hapë veshët dhe në mos të përgjigjet, të paktën duhet të dëgjojë. Bota duhet ta dëgjojë, sponsorët e atij tribunali duhet ta dëgjojnë. Ai tribunal është projektuar për t’i dhënë përgjigje akuzave të ngritura nga Dick Marty. Nuk ka asnjë gjë në aktakuzë, zero. Ne kemi gjithë të drejtën të besojmë se këtu janë duar aspak dashamirëse me Kosovën, aspak dashamirëse me shqiptarët, që e kanë nxitur këtë raport.

Rama shtoi: “nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin e sotëm”.

Neve na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha ato mundësi që e integrojnë këtë pjesë të Europës, që jo pa arsye është pjesa më e prapambetur historikisht, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror.