Aktualitet

“Shqipëria në rrezik, protesto! T’i dalim zot bashkë”, sot protesta e opozitës/Berisha thirrje për pjesëmarrje!

Për sot pasdite në orën 16:00, Partia Demokratike ka thirrur sot protestën kombëtare, me moton: “Shqipëria në rrezik, protesto! T’i dalim zot bashkë”. Dje në një deklaratë për media, kryetari i PD-së, Sali Berisha prezantoi disa nga risitë e saj, ndër të tjera, alternativën anti-krizë që propozon Partia Demokratike dhe opozita në tërësi për përballimin e situatës së vështirë ekonomike në vend.

Edhe njëherë, ftoj çdo shqiptar, demokrat e demokrate, qytetarë pa parti, anëtarë të partive të tjera politike opozitare, por edhe socialistë, që janë shumë më afër me ne se me sektin e Rilindjes, të bashkohemi për kauzën tonë të drejtë nesër e me atë protestë, të çelim një lëvizje të fuqishme që ka si synim madhor, përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar.

Ka si synim madhor, rikthimin e Shqipërisë në standardet demokratike, votën e lirë. Ndëshkimin e hajdutëve të pasurive publike dhe fondeve publike, shpartallimin e krimit të organizuar me zero tolerancë ndaj tij.

Ka si synim madhor që vendimet për Shqipërinë dhe shqiptarët të mos merren në Beograd, të mos merren në Ankara, por veçse në Tiranë. Të largojmë një person, një antishqiptar, një armik të qenies shqiptarë, të lirive e të drejtave tona.

Protesta, ju po e shihni, sirenat e zemërimit dhe urrejtjes ndaj kësaj qeverie, të dhimbjes, sakrificës dhe mjerimit, po ulërijnë në zemrat e të gjithë shqiptarëve në të katër anët e vendit.

Ndaj shpreh mirënjohje të pakufishme për ata që do të mbushin rrugët dhe sheshet e Tiranës. Rroftë protesta! Rroftë populli opozitar!

Ndërkohë, në profilin e tij në “Facebook”, Berisha publikoi mesazhe me video nga shtresa të ndryshme të popullatës, nga të rinj e të reja,  për të mundur indeferencën, lodhjen dhe apatinë e zgjuar shpirtin qytetar për ndryshim të gjendjes në vend.

Kryeministri Rama nuk ndodhet sot në Tiranë, por në Paris ku me ftesë të presidentit francez, Macron merr pjesë në Samitin e Paqes.