Aktualitet

Tirana bëhet gati për protestë, Rama në Paris: Rusia mund të shkaktojë dëme të mëdha në Ballkan!

Kryeministri Edi Rama nuk përjashton mundësinë e një destabilizimi të mundshëm në Ballkan për shkak të ndikimit rus në Beograd. Në Forumin e Paqes në Paris, Rama përmendi tensionet Kosovë-Serbi por shtoi se është e rëndësishme të shihet se Ballkani Perëndimor është i bashkuar. Sipas kreut të qeverisë, kjo vjen prej përfshirjes të Francës që ka qenë edhe skeptike për integrimin në BE.

Një tjetër çështje që preku është kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Teksa bota po përballet me krizën ushqimore apo klimaterike, Rama u shpreh se Ballkani ia ka dalë të qëndrojë larg luftës konvencionale.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris ka mbledhur liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Paqes në Paris, kryeministri Edi Rama është shprehur se ndonëse Rusia ka ndikim të madh dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha, Ballkani është i bashkuar.

“Gjetja e një ekuilibri mes krizave është sfidë e madhe por këtu hyn në lojë barra e lehtë e të qenit kryeministër shqiptar dhe jo president i Francës se nuk duhet të zgjidhësh problemet e botës.

Dua të them se Ballkani deri tani ia ka dalë t’i qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë hallka më e brishtë e zinxhirit. Ne kemi dobësitë tona se e dimë që në Ballkan, Rusia ka ndikimin më të madh potencial dhe mund të shkaktojë dëme prej ndasive historike.

Kemi një çështje të madhe si Serbia dhe Kosova, paqja përfundimtare por në të njëjtën kohë është e rëndësishme të shihet se Ballkani është i bashkuar. Ne jemi në drejtimin e duhur. E di që nuk është e lehtë. Për shkak të asaj çka ndodhur vërtet në Ballkanin Perëndimor, ky është po kështu product i nxitjes që po jep Franca duke qenë nga njëra anë apo i perceptuar si më skeptik për zgjerimin por dhe më i përfshirë së fundmi në Ballkanin Perëndimor.

Më vjen keq zoti president, nuk isha më i shpejtë sa miqtë tanë. Tradita ka rëndësi. S’bëjmë dot asgjë për këtë”, tha Rama.

Deklaratës së Ramës përsa i përket sfidave që kanë sjellë ndryshimet klimatike, Macron iu përgjigj duke thënë se ishte tepër entuziast dhe se besonte se sfida të tilla mund të përballoheshin.

“Thjesht për të siguruar, Edin, jam entuziast dhe çdo ditë kam besim se mund të përballemi me këtë botë gjithmonë e më komplekse. Gjatë gjithë diskutimit është thënë se në thelb kjo luftë është ekzistenciale për të gjithë ne dhe ka ardhur pas problemeve të tjera të cilat ekzistonin, pabarazia sociale, ekonomia, varfëria dhe ka ndjei për një standart të dyfishtë. Por ne duhet të vijojmë të merremi me çështjet që kanë të bëjnë me rendin ndërkombëtar. Ne po rimendojmë përparësitë tona dhe ndoshta nuk janë kuptuar shumë mirë. Nuk mund të zgjidhim çështje si shkatërrimi i diversitetit, pabarazia, në rast se nuk bashkëpunojmë. Ka shumë forca që përpiqen të na ndajnë por ato çështje të cilat ne duhet të merremi, duhen zgjidhur në nivel ndërkombëtar. Besoj është në interesin e të gjithëve, të flasim për universalizmin, për këtë parim kaq të rëndësishëm”-tha presidenti francez.

Më tej, gjatë konferencës së mbajtur në Forumin e Paqes në Paris, ai u shpreh se duhej të kishte një bashkëpunim në Evropë për të përballuar flukset e emigracionit që e konsideroi edhe si një çështje që kishte shkaktuar debate të shumta në Francë.

“Migracioni për shembull, për këtë kemi debate të forta në Francë. Duhet të kemi përgjigjie të mirëmenduara që mund t’i kemi vetëm nëse do jemi Evropë e Bashkuar. Na duhet më shumë bashkërendim për të administruar flukset e emigracionit. Siç e thashë edhe sot pasdite, jam i bindur se bashkëpunimi ndërkombëtar është tepër jetik”- u shpreh Macron.