Bota

Shtëpia e Bardhë: Izraeli nuk ka plan të besueshëm për Rafahun!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se Izraeli ende nuk ka paraqitur një plan bindës për të mbrojtur popullsinë civile, në rast sulmi tokësor në qytetin Rafah, në Rripin e Gazës. Këshilltari i sigurisë i presidentit Joe Biden, Jake Sullivan tha se ende nuk ka parë një plan “një plan të besueshëm e të zbatueshëm për evakuimin dhe rivendosjen e njerëzve në Rafah”.

Izraeli nuk ka detajuar mënyrën si civilët mund të strehoheshin dhe t’u jepej kujdes mjekësor.

Sullivan theksoi edhe se ka kanale komunikimi me qeverinë izraelite. Si aleatja e saj më e rëndësishme, Amerika e ka paralajmëruar vazhdimisht Izraelin kundër një ofensive në shkallë të gjerë ndaj grupit radikal palestinez, Hamas në Rafah, ku më shumë se një milion civilë palestinezë kanë kërkuar strehim nga luftimet.

Qeveria amerikane e konsideron “të gabuar” një sulm tokësor në shkallë të gjerë në Rafah dhe ka diskutuar alternativa me Izraelin. Por, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha dje në mbrëmje se një datë për operacionin ushtarak është caktuar tashmë.

Ndërkaq, Australia tha se mund ta njohë shtetin palestinez. Qëndrimin e shprehu ministrja e Jashtme, Penny Wong, por vetëm nëse Hamasi nuk merr rol në qeverisje. Opozita dhe Federata Zioniste e Australisë thonë se ky veprim do të ishte i parakohshëm. Por, Kanbera shprehet se njohja e shtetit palestinez mund të vijë vetëm si pjesë e zgjidhjes me dy shtete, e ndërmjetësuar me Izraelin.

Wong tha se zgjidhja me dy shtete, sipas së cilës izraelitët dhe palestinezët do të jetonin krah për krah në vende të ndara është “shpresa e vetme për të thyer ciklin e pafund të dhunës”. Izraeli ka nisur një fushatë të ashpër të sulmeve në Gaza, enklavë e banuar me palestinezë. Kjo ndodhi që kur Hamasi sulmoi territorin e shtetit hebraik në tetor, duke vrarë mbi 1 mijë e 200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, thotë se më shumë se 33 mijë banorë të Gazës janë vrarë nga koha kur Izraeli filloi ofensivën. Po ashtu, pjesë të mëdha të territorit janë shkatërruar dhe shumë prej banorëve po vuajnë nga uria.