Celebrities Gossip Showbiz

Ariana Grande shpërthen ndaj Shtëpisë së Bardhë: “Mos e përdorni muzikën time për këto budallallëqe çnjerëzore”

Këngëtarja e njohur amerikane Ariana Grande ka reaguar ashpër ndaj administratës së presidentit Donald Trump, pasi një nga këngët e saj u përdor në një video të publikuar nga Shtëpia e Bardhë për promovimin e politikave të emigracionit.

Debati nisi kur llogaria zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në TikTok publikoi një video ku shfaqeshin agjentë federalë duke arrestuar dhe prangosur persona gjatë operacioneve të emigracionit, ndërsa në sfond dëgjohej hiti i Grande-s, “Bye”, i publikuar në vitin 2024. Videoja ishte shoqëruar me mesazhe që promovonin masat e administratës për sigurinë kufitare.

Artistja fituese e çmimit Grammy nuk vonoi të reagojë. Në seksionin e komenteve të videos, ajo shkroi:

Ju lutem, mos e përdorni kurrë muzikën time në lidhje me këto budallallëqe barbare, çnjerëzore dhe të neveritshme.

Pas reagimit të saj, kënga u hoq nga videoja ose u çaktivizua si audio në publikimin e TikTok-ut. Burime pranë këngëtares konfirmuan se ekipi i saj kishte kërkuar largimin e muzikës nga materiali.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, mbrojti qëndrimin e administratës dhe iu përgjigj deklaratës së Grande-s.

Do ta themi edhe një herë: ajo që është vërtet barbare, çnjerëzore dhe e neveritshme janë emigrantët ilegalë kriminalë që kanë plagosur dhe vrarë qytetarë të pafajshëm amerikanë

-deklaroi ajo.

Kjo nuk është hera e parë që Ariana Grande kritikon Trumpin dhe politikat e tij. Këngëtarja ka qenë shpesh e zëshme në mbështetje të emigrantëve dhe komuniteteve të cenueshme, ndërsa së fundmi ka kundërshtuar publikisht veprimet e ICE dhe përdorimin e muzikës së saj për qëllime politike.

Grande i bashkohet një liste të gjatë artistësh që kanë kundërshtuar përdorimin e këngëve të tyre në materiale politike apo propagandistike, mes tyre edhe Olivia Rodrigo, Sabrina Carpenter dhe SZA.