Food & Drink Health & Beauty

Vapa po shtohet? Këto fruta dhe perime ndihmojnë organizmin të qëndrojë i hidratuar…

Temperaturat e larta të verës rrisin nevojën e organizmit për hidratim, duke e bërë konsumimin e lëngjeve një domosdoshmëri për ruajtjen e shëndetit dhe energjisë gjatë ditës. Përveç ujit, ekspertët rekomandojnë edhe përfshirjen në dietë të ushqimeve me përmbajtje të lartë uji, të cilat ndihmojnë trupin të kompensojë lëngjet e humbura përmes djersitjes.

Frutat dhe perimet e freskëta jo vetëm që kontribuojnë në hidratimin e organizmit, por furnizojnë gjithashtu trupin me vitamina, minerale dhe antioksidantë të rëndësishëm. Sipas specialistëve të ushqyerjes, një hidratim i mirë ndihmon në rregullimin e temperaturës trupore, përmirësimin e funksioneve fizike dhe mendore, si dhe në parandalimin e lodhjes dhe dehidratimit.

Ndër ushqimet më të pasura me ujë renditen kastravecat dhe domatet, të cilat përmbajnë mbi 90 për qind ujë. Këto produkte janë ideale për sallata të freskëta dhe vakte të lehta gjatë ditëve të nxehta.

Po ashtu, shalqiri mbetet një nga zgjedhjet më të preferuara të sezonit veror. Përmbajtja e lartë e ujit dhe shija freskuese e bëjnë atë një aleat të rëndësishëm kundër vapës. Në të njëjtën kohë, luleshtrydhet dhe grejpfruti ofrojnë një kombinim të shkëlqyer të hidratimit dhe vlerave ushqyese, falë përmbajtjes së pasur me vitamina dhe antioksidantë.

Lista e frutave të rekomanduara për ditët e nxehta përfshin gjithashtu pjeprin, pjeshkët, boronicat, ananasin dhe mjedrat. Këto fruta jo vetëm që ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në organizëm, por janë edhe një burim natyral energjie dhe freskie.

Megjithëse frutat dhe perimet mund të kontribuojnë ndjeshëm në hidratimin e trupit, specialistët kujtojnë se ato nuk mund të zëvendësojnë konsumimin e ujit. Për këtë arsye, rekomandohet që gjatë ditëve me temperatura të larta të kombinohet pirja e rregullt e ujit me një dietë të pasur me fruta dhe perime të freskëta.