Lancio Music Showbiz

Ardian Gomez, artisti shqiptar me një ndikim ndërkombëtar që po hyn fuqishëm në tregun muzikor…

I lindur dhe i rritur larg Shqipërisë por gjithmonë me rrënjët pranë zemrës, ai sjell një kombinim unik mes muzikës shqiptare me tinguj modernë ndërkombëtarë duke bashkuar shqipen dhe anglishten në një stil që lëviz midis RnB, popit dhe ritmeve afro. Bëhet fjalë për artistin Ardian Gomez, i cili së fundmi ka sjellë bashkëpunimin “Senorita” me Duajanen, me të cilin ka debutuar në “The Top List”. Ai ka treguar më shumë për këtë projekt, karrierën e tij në muzikë, por jo vetëm…

Si do t’i prezantoheshe atyre njerëzve që ende nuk e dinë se kush është Ardian Gomez?

Babin e kam nga Gjakova dhe mamin nga Portugalia. Jam një djalë energjik që i pëlqen të argëtojë njerëzit dhe dua t’i bëj njerëzit të buzëqeshin. Por njerëzit më thonë dhe që jam pak “i çmendur”, më pëlqen të bëj gjëra që njerëzit normalë nuk i bëjnë. Nuk jam ai artisti i zakonshëm, jam edhe kërcimtar.

A je ndierë ndonjëherë nën presion për të ndjekur trendet shqiptare apo i beson instinkteve të tua?

Është shumë e vështirë që t’i përgjigjesh kësaj, sepse jam ende artist i ri. Kjo është kënga ime e parë. Dua që të eksperimentoj dhe më pas do konsolidohem në industrinë e muzikës shqiptare.

Kur kuptove që muzika nuk ishte thjesht një pasion për ty?

Ka qenë kur isha ende i vogël, sepse babai im ishte DJ dhe ai shkruante shumë muzikë. Mua më pëlqeu dhe i bashkohesha ndonjëherë kur ai luante. Pastaj para 2-3 vitesh mendova se duhet të bëj diçka, dua t’ia tregoj njerëzve dhe dua të bëj diçka ndryshe.

A bën diçka tjetër përveç këndimit, a luan ndonjë instrument?

Luaj në kitare, piano, bateri, prodhoj muzikë dhe i bie saksofonit.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në karrierën tënde?

Mendoj se ka qenë momenti kur mendova se nuk mund të bëja më muzikë sepse nuk kisha frymëzim. Dhe u ndieva si i ngecur. Në atë kohë bëja shumë muzikë norvegjeze dhe mendova se çfarë tjetër mund të shkruaj.

A ke një muzë tani?

Po, kam një vajzë që më ka sjellë shumë motivim në tekstet e mia.

Tekstet e tua janë shumë romantike, a je ti kështu edhe në jetën reale?

Jam shumë romantik, deri në thellësinë e zemrës. Është diçka që e kam marrë nga mamaja ime.

Si ka qenë të punoje me Dujanen për këngën “Senorita” me të cilën u bëre pjesë e “The Top List”?

Ishte shumë e këndshme. Dujanen ka shumë dhunti kur bëhet fjalë për muzikën dhe të dy mund ta kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë muzikalisht. Mendoj se bëmë një këngë shumë të bukur bashkë dhe mund të bashkëpunojmë sërish në të ardhmen.