Bota

Shuhet në moshën 85 vjeçare dizajneri legjendar i Lamborghinit, Marcello Gandini!

Ka ndërruar jetë në moshën 85 vjeçare dizajneri legjendar i makinave italiane, Marcello Gandini. Gandini ishte i njohur për bashkëpunimin e tij me Lamborghinin ku ai ishte përgjegjës për dizajnin e shumë makinave si Miura, Countach dhe Diablo. Gjithashtu, i ndjeri ishte projektuesi edhe i ikonave si Lancia Stratos, Bugatti EB110 dhe Fiat X1/9. I lindur në Torino, modelet e tij më të famshme Marcello i ka krijuar ndërsa punonte në shtëpinë italiane të dizajnit, Bertone, nga mesi i viteve 1960 deri në vitin 1980.

Gjatë kësaj periudhe ai ka dizajnuar makina si Alfa Romeo Montreal, Maserati Khamsin, Volkswagen Polo, si dhe Ferrari 308 GT4. Modele të tjera të dukshme të Gandinit përfshijnë serinë 5 të BMW-së, Lamborghini Espada dhe Cizeta-Moroder V16T.

Gandini ka punuar me TaTa Motors në vitin 2017 për të krijuar TaMo Racemo, një koncept i makinës sportive i paraqitur në Motor Show. Ai u pajis me një diplomë nderi në inxhinieri mekanike nga Instituti Politeknik i Torinos.  Rikujtojmë, se Lamborghini ka njoftuar se porositë për modelin Revuelto tashmë kanë “mbuluar” prodhimin deri në vitin 2026. Ky informacion nuk duket aspak befasi duke marrë parasysh faktin që makina hibride plug-in ishte shitur dy vjet përpara se të prezantohej në mars të vitit 2023.

Gjithashtu, Lamborghini ka deklaruar se 10,112 makina u dorëzuan në vitin 2023, duke mposhtur rekordin e vitit 2022. Por, prodhuesi italian i makinave gjithnjë e më shumë pritet të prezantojë modele më të fuqishme. Prandaj, blerësit e interesuar mund të presin edhe për modelet e ardhshme SuperVeloce dhe SuperVeloce Jota.