Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Si ndikoi stresi në shtimin në peshë gjatë pandemisë?!

Shumë njerëz në mbarë botën kanë folur për pandeminë dhe shtimin në peshë që kanë pësuar gjatë karantinës. Por a është e vërtet se njerëzit kanë shtuar në peshë gjatë kësaj periudhe? Së fundmi, studiuesit rishikuan ndryshimet në peshën e pacientëve një vit para fillimit të pandemisë dhe më pas ndryshimin e peshës gjatë vitit të parë të pandemisë.

Në fakt rezultoi e vërtetë se një pjesë e mirë e tyre shtuan në peshë gjatë karantinës dhe arsyeja për këtë ka qenë stresi i përjetuar gjatë kësaj periudhe. Duke qenë se gjatë vitit të parë të pandemisë stresi u shtua, së bashku me të pati edhe një rritje të nivelit të kortizolit.

Rritja e kortizolit shoqërohet me rritjen e konsumit të ushqimeve të cilat janë të pasura me kripë, yndyrë ose të dyja. Ekzistojnë gjithashtu dëshmi se trupat tanë e tresin ushqimin më ngadalë kur janë nën stres. Përveç kësaj, stresi dhe nivelet e larta të kortizolit lidhen me rritjen e yndyrës në zonën e barkut, gjë që i vë njerëzit në rrezik për sëmundjet e zemrës dhe të diabetit të tipit 2.

Për t’i shtuar listës së efekteve jo të shëndetshme të stresit në trup, nivelet e larta të kortizolit gjithashtu mund të zvogëlojnë masën muskulare të trupit dhe kjo ka një ndikim në metabolizëm. Sa më pak masë muskulare, aq më i ulët është niveli i metabolizmit dhe aq më pak kalori digjni kur pushoni.

Pra stresi i vazhdueshëm ndikon në cilësinë e jetës duke ju bërë të shtoni në peshë dhe të keni një shëndet të dobët. Megjithatë jo të gjithë kanë shtuar kilogramë gjatë karantinës sepse disa njerëz i përgjigjen stresit duke mos ngrënë. Ata i injorojnë shenjat e urisë dhe kështu humbasin peshë gjatë periudhave të stresit.

Rikujtojmë se, metabolizmi, është shkalla në të cilën trupi juaj djeg kalori për të qëndruar i gjallë dhe funksional. Ndërsa plakeni, metabolizmi juaj ngadalësohet, sidomos mbi moshën 40-vjeç. Dhe nëse jeni grua në menopauzë, metabolizmi ngadalësohet akoma më shumë. Por një studim i ri thotë se kjo gjë nuk është e vërtetë.

Duke analizuar të dhënat e afro 6.500 njerëzve nga foshnjëria deri tek të moshuarit, autorët e studimit arritën në përfundimin se metabolizmi mbetet i qëndrueshëm nga mosha 20–60 vjeç, para se të regjistrohet një rënie prej më pak se 1% për çdo vit që pason.