Gossip Sport

“Skuadër pa identitet”, Paolo Di Canio dhe Beppe Bergomi kritikues ndaj Anglisë!

Analistët e “Sky Sport Italia”, Paolo Di Canio dhe Beppe Bergomi, kanë thënë njëzëri se janë të zhgënjyer me atë çfarë tregoi Anglia ndaj Skocisë. Tre Luanët luajtën pa gola ndaj Skocisë në Wembley mbremjen e djeshme.

Fillimisht Di Canio, që ka luajtur në Ligën Premier te West Ham United, i dha merita Skocisë për ndeshjen.

Skocia luajti shumë mirë duke marrë parasysh potencialin e tyre, por ne ishim shumë të zhgënjyer me Anglinë. Ata kanë shumë lojtarë të talentuar, por ata nuk kanë identitet, lëvizje, shpikje, guxim për të bërë një pasim kërkues, thjesht nuk është në ADN-në e tyre. Kur mesfushorët qendrorë nuk mund të luajnë, ata kanë nevojë për Stonesin ose dikush që luan nga prapa. Ai nuk është Bonucci, por duhet të provojë. Nuk janë vetëm lojtarët, por edhe trajneri duhet t’u tregojë atyre se po bëjnë shumë vrapime të gabuara në kohë të gabuar.

Ai kishte edhe kritika për Harry Kanen, që sipas tij nuk po jep maksimumin e tij. Në anën tjetër Beppe Bergomi, që fitoi Kupën e Botës në vitin 1982 me Italinë, ka thënë se ka një ndryshim të madh midis Anglisë së Gareth Southgate dhe Italisë së Roberto Mancini.

Kjo është një situatë ku nuk ka asnjë ide, asnjë plan. Kur ke talentë që punojnë së bashku për ekipin, atëherë del edhe më e mira e individëve. Anglia, të jem i sinqertë, më zhgënjeu këtë mbrëmje.