Top Channel dhe kompania e sondazheve IPSOS, një nga kompanitë lider të sondazheve në botë publikuan sondazhin e dytë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Në gjetjet e tij, Partia Socialiste mbetet forca me e votuar, por opozita ka një përmirësim të lehtë në shifra. Nga 49.5% partia në pushtet merr tani 48.7 ndërsa demokratët e LSI-ja, nga 44.4, 45.2%.
Në pyetjen se cilin preferojnë për të drejtuar vendin, Rama është sërish në avantazh me 39%, Basha i dyti por me një përmirësim të ndjeshëm. Nga 29% në sondazhin e parë, në 33 në të dytin ku u intervistuan 1 mijë e 519 votues nga data 3 mars deri më 9 mars. Nëpërmjet telefonit 90% dhe online 10%. Marzhi i gabimit u vendos në 2.39%.
Edhe në sondazhin e dytë të Top Channel e IPSOS-it, zgjedhësit janë pyetur nëse Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur dhe njësoj si në sondazhin e parë, 38 përqind u përgjigjen pozitivisht dhe 47 negativisht. 8 përqind asnjanës. Ndryshim të dukshëm ka në rezultatet e pyetjes, se kush do fitojë zgjedhjet, PS në sondazhin e dytë humbi dy pikë duke zbritur nga 44 në 42 përqind dhe PD fiton tre pikë më shumë duke u ngjitur nga 24 në 27 përqind.