Rajoni

Sot zgjedhjet parlamentare në Greqi, sondazhet i kryeson partia e kryeministrit Mitsotakis!

Në Greqi nisën votimet për zgjedhjet parlamentare, proces që një ditë më parë u parapri nga votat e hedhura nga qytetarët grekë, të regjistruar jashtë vendit fqinj. Rreth 9.8 milion persona me të drejtë vote janë thirrur të votojnë në 21 mijë e 529 qendra votimi, për të zgjedhur deputetët e ardhshëm të parlamentit grek.

Nga ky numër, 400 mijë janë votues për herë të parë dhe rreth 22 mijë ushtruan të drejtën e tyre zgjedhore jashtë Greqisë. Qendrat e votimit u hapën në 07:00 të mëngjesit me orën lokale, për t’u mbyllur më 19:00.

Sipas Kushtetutës, ushtrimi i së drejtës së votës është i detyrueshëm për të gjithë, me përjashtim të atyre që janë mbi 70 vjeç, personave që nuk ndodhen në shtetin grek në ditën e zgjedhjeve, njerëzve që nuk mund të lëvizin për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe kujtdo që është regjistruar të votojë jashtë.

Partitë kryesore që pretendojnë krijimin e qeverisë së re janë “Demokracia e re” e kryeministrit aktual, Kyriakos Mitsotakis dhe SYRIZA e ish-kryeministrit, Alexis Tsipras.

Sondazhet kanë sugjeruar se partia konservatore në pushtet, Demokracia e Re, po kryeson përballë partisë së majtë, Syriza. Në mesin e votuesve të rinj, partitë opozitare të majta janë më popullore, por shumë prej tyre mbeten të pavendosur. George Arapoglou, që udhëheq kompaninë e sondazheve, “Pulse” u shpreh:

Eshtë një brez i grekëve që u rrit në kushte të vështira e të paprecedenta, që nuk i lejon t’i marrin vendimet shumë lehtë. Atyre nuk u duhet askush që t’i informojë, atyre u duhet dikush që t’i bindë.

Nëse fiton, partia Syriza ka thënë se do të heqë kriteret për pranim në universitet, ndërsa Demokracia e Re premtoi se do të japë 150 euro për të gjithë ata që mbushin 18 vjeç.

Inflacioni dhe rritja ekonomike janë çështjet kryesore që shqetësojnë të rinjtë e ndërsa 82% e tyre kanë thënë se do të votojnë, vetëm 35% besojnë se zgjedhjet mund të përmirësojnë situatën. Kjo sipas një sondazhi të bërë nga organizata Eteron.

Problemet e mëdha të Greqisë me demografinë nënkuptojnë se votuesit e rinj janë vetëm një pjesë e vogël e elektoratit, me rreth 18%, por politikanët nuk mund të jenë indiferentë ndaj kësaj pjese të shoqërisë greke.