Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Stivi Ushe: “Dua të mbahem mend si ai djali që përcjell emocion…”

I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur e shumë i talentuar Stivi Ushe. Ai ka folur më shumë mbi projektin e tij të ri muzikor, “Harruar”, por dhe shumë të pathëna të tjera…

Si erdhi “Harruar”?

Kjo këngë ka tre vite që është shkruar dhe gjithmonë kam pasur dëshirën që ta laçoj, por nuk e di pse nuk po i vinte momenti. Dhe në një moment në studio bashkë më producentin e këngës, vendosëm që ta hidhnim për vitin e ri 2024. Teksti është i ndjerë, flet për një dashuri që ka mbaruar, por nuk është harruar. Ai është një frymëzim momenti, por kur e dëgjoj e gjej veten tek tekstet e mia herë pas here. Jo gjithmonë tekstet i kam personale.

Po merresh me ndonjë projekt të ri momentalisht?

Unë kam një mal me projekte që po rrinë aty dhe kam qenë në një fazë metamorfoze, sepse kam qenë duke analizuar se çfarë duhet të publikoj dhe si duhet ta kem qasjen e radhës në publik. Besoj se ka ardhur momenti që të nxjerr një këngë shumë shpejt. Kam dëshirë që ta bëj bashkëpunim, akoma janë disa emra në ajër që nuk i dihet, nuk kam diçka konkrete.

Nëse fansat e tu do të mbanin mend vetëm diçka prej teje, çfarë do të doje ti që të mbanin mend ata?

Do të doja që të mbahesha mend si ai djali që përcjell emocion. Që të thonë: ‘Bëri ç’bëri, këndoi si këndoi, por më emocionoi.’ Kjo do të më pëlqente shumë.

Me cilin artist shqiptar apo të huaj do të doje të bëje një bashkëpunim?

Me të huaj, The Weeknd ose Dua Lipa, por kjo është një ëndërr. Kurse me shqiptarë, pse jo, do të doja të bëja një këngë me Rinën. E kam parë kohët e fundit dhe ka një stil shumë të lezetshëm. Ose meqë qau me këngën time, Bardhin (qesh). Mund t’i përshtatemi stilit të njëri-tjetrit.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Harruar”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë sa më gjatë pjesë e “The Top List”.