Celebrities Gossip Showbiz

Të humbasësh dashurinë e jetës dhe të rigjesh përsëri lumturinë, Meryl Streep na jep shpresë për këtë!

Të humbasësh dashurinë e jetës kur sapo e ke gjetur lumturinë është diçka që të shënjon përgjithmonë. Shpesh është shumë e vështirë të ringrihesh nga një humbje kaq e madhe, por historia e Meryl Streep na jep shpresë dhe dëshmon se e kemi forcën për të kapërcyer çdo pengesë në të cilën na hedh jeta, pavarësisht sa e vështirë mund të jetë.

Meryl Streep u takua me John Cazale në 1976-ën, kur ishte 27 vjeçe, ndërsa luante në një drame të Shekspirit. Ai ishte 14 vjet më i madh se ajo dhe ishte një aktor që njihej dhe respektohej nga bashkëmoshatarët e tij. Më i njohur ishte për rolin e tij në ‘The Godfather’. Ata u bënë çift më pas. Kur filluan xhirimet e “Deer Hunter” në 1977-ën, Cazale vuri re se diçka nuk shkonte. Pas një konsultimi dhe shumë analizash, diagnoza ishte shkatërruese. John kishte vetëm disa muaj jetë.

Meryl pranoi një rol në serialin ‘Holokaust’ në mënyrë që të paguante trajtimin e tij dhe të ndihmonte të dashurin e saj dhe mori ndihmë nga 2 nga miqtë e tij të mëdhenj, Robert De Niro dhe Al Pacino. Al Pacino u kujdes për të gjatë kohës që Meryl po xhironte në Evropë. Ai tha për mikun e tij:

Kam mësuar të aktroj nga ai më shumë se nga kushdo tjetër. Gjithçka që doja ishte të punoja me John për pjesën tjetër të jetës sime.

Meryl e shoqëroi atë në spital gjatë gjithë kohës derisa, në mars 1978-ës, doktori i tha Meryl-it se John humbi jetën. Ajo, e tronditur, u hodh mbi të, duke iu lutur që të zgjohej. Për një sekondë, Cazale i hapi sytë edhe njëherë si për ta siguruar Meryl-in se ajo do të ishte mirë dhe pastaj i mbylli përgjithmonë. Në këto momente të vështira iu gjend pranë vëllai i saj që i ofroi ndihmë. Në një nga ditët që kujdesej për Meryl, shkoi bashkë me mikun e tij, Don. Nga ky moment ndryshoi gjithçka.

Don Gummer ka lindur në 1946-ën. Si ai, ashtu edhe Meryl u diplomuan në Shkollën e Arteve të Bukura. Që prej mesit të viteve 1980, Don ishte skulptor me famë, puna e të cilit u ekspozua në mbarë botën dhe mori shumë çmime e vlerësime. Kur Don zbuloi se Meryl-in po e dëbonin nga shtëpia ku jetonte, ai i ofroi asaj një vend në papafingon e tij, pasi ai do të shkonte në një udhëtim dhe vendi do të ishte bosh. Ata mbanin kontakte përmes letrave, por më pas ajo filloi të dyshonte se ai donte më shumë sesa të bëheshin thjesht miq.

6 muaj më vonë, Meryl dhe Don u martuan në një ceremoni të vogël në kopshtin e shtëpisë së prindërve të saj, në fund të vitit 1978. Kritikave të nënës së saj, e shqetësuar për nxitimin e martesës, Meryl u përgjigj:

Nuk e kam kaluar vdekjen e John, por duhet të vazhdoj të jetoj dhe Don më mësoi se si ta bëj këtë.

Në fund të vitit të ardhshëm, lindi djali i tyre i parë, Henri. Pastaj erdhën 2 vajza, Mamie dhe Grace dhe në 1991-shin ata patën fëmijën e tyre të katërt dhe të fundit, Louise. Përtej kësaj, Meryl kurrë nuk ka dashur t’i ekspozojë fëmijët e saj në media, edhe pse shumica kanë zgjedhur karriera artistike. 2 nga vajzat e saj janë aktore dhe djali është muzikant.

Pasi fëmijët e tyre u larguan nga shtëpia, Meryl dhe Don u transferuan në New York. Ata janë bashkë prej më shumë se 40 vitesh. Meryl nuk ka folur kurrë në mënyrë eksplicite për problemet në martesën e tyre, por ajo ka lënë të kuptohet se ata i kapërcejnë ato. Ajo ka rrëfyer se për ta mbajtur martesën të fortë, sekreti është të flasësh për çdo problem që mund të lindë, edhe nëse është diçka e vogël.