Që mbas suksesit të historisë së kartelit të drogës nga Denis Villeneuve – ‘Sicario’, regjisori Taylor Sheridan e ka vendosur veten në listën e regjisorëve më të mirë të të ashtuquajturve new-Westerns. Për skenarin e tij ‘Hell or High water’ ai morri një kandidaturë për Oscar, më pas mori edhe timonin e regjisë në duar për misterin e vrasjeve tek ‘Wind River’ dhe së fundmi u lavdërua për përshtatjen e ‘Without Remorse’ nga Tom Clancy me Michael B. Jordan.
‘Those Who Wish me Dead’ i cili është përshtatur për ekranin e madh nga vetë shkrimtari i librit Michael Koryta, është një tjetër histori e heronjve të zakonshëm – një grua e fortë që lufton kundër disa të këqinjve të pafé, vendosur në një nga pejsazhet më të bukura që amerika ofron.
Angelina Jolie luan rrolin e zjarrfikëses nga Montana, duke u bërë kështu heroina e rradhës e Sheridan mbas Emily Blunt (‘Sicario’) dhe Elizabeth Olsen (‘Wind River’) – një lloj heroine pa kuptim e hedhur në dhunën e testosteronit dhe kërcënimeve bazike dhe hollywood-eske.
E sapodalë nga një tragjedi që nuk e ndaloi dot, Hannah (Jolie) detyrohet të shkojë në një kullë vrojtimi në thellësi të pyjeve të Montana-s, larg nga kolegët e saj të zjarrfikëses. Aty rastësisht takon një djalë të frikësuar, Connor (Finn Little), i cili po vrapon nga sytë këmbët pak kohë mbasi dy vrasës profesionistë i qëlluan për vdekje të atin. Po ata, për të hequr vëmendjen e forcave policore nga ky krim i vënë zjarrin pyllit – sepse misioni i tyre është të gjejnë djalin, në çdo mënyrë dhe duke sakrifikuar çdo gjë dhe cilindo që i del para.
Mbase nuk duhet ashtu, por ka kaluar më shumë se një dekadë që kur Angelina Jolie ka luajtur në një thriller/aksion – mbas ‘Salt’ apo ‘Wanted’. Sidoqoftë ajo është formë të shkëlqyer dhe petku i gruas që ka humbur çdo gjë dhe përballet pa frikë me çdo gjë i rri si me porosi. Trupa e aktorëve plotësohet nga protege-ja e Sheridan – Jon Bernthal – polici simpatik dhe dashamirës i zonës i cili plotësohet si personazh edhe nga historia e tij private – si një burrë qe pret të behët së shpejti baba me Allison (Medina Senghore).
Njësoj si kufiri pa siguri mes SHBA-së dhe Meksisës, shkretëtirat e Teksasit apo bora e tundrës në Wyoming, bukuria natyrore e egër e Montanës është personazhi i pa kredituar në çdo skenë të këtij filmi. Si pasojë ‘Those Who Wish me Dead’ tregon dy histori paralele – vuajtjen dhe thirrjen për ndihmë nga një djalosh pa njeri – dhe të njëjtën gjë nga nëna natyrë dhe kërkon një zgjidhje për të dyja paralelet. Sheridan e ka luajtur aq fort ‘personazhin’ natyrë në këtë film sa për një çast duket sikur ajo është shumë më e rëndësishme se personazhet njerëz.
“Those Who Wish me Dead” është duke u shfaqur në Cineplexx.