Një nga alternativat më moderne për trajtimin e stenozës së rëndë të valvulës aortale po vazhdon të fitojë terren.
Të dhënat më të fundit nga studimi “PARTNER 3” tregojnë se zëvendësimi i valvulës aortale përmes kateterit (TAVR), një procedurë që shmang operacionin klasik në zemër të hapur, ofron rezultate afatgjata të ngjashme me kirurgjinë tradicionale edhe shtatë vjet pas ndërhyrjes.
Megjithatë, studiuesit identifikuan edhe një dallim të rëndësishëm: pacientët që iu nënshtruan TAVR-it shfaqën më shpesh trombozë të valvulës, një ndërlikim që kërkon monitorim të vazhdueshëm.
Një alternativë gjithnjë e më e përdorur?
Stenoza e valvulës aortale është një sëmundje që shfaqet kur valvula ngushtohet dhe pengon rrjedhjen normale të gjakut nga zemra drejt organizmit. Kur kjo gjendje bëhet e rëndë dhe shoqërohet me simptoma, zëvendësimi i valvulës është shpesh trajtimi i vetëm efektiv.
Për dekada me radhë, standardi i trajtimit ka qenë operacioni në zemër të hapur, i njohur si zëvendësimi kirurgjikal i valvulës aortale (SAVR).
Në vitet e fundit, megjithatë, një metodë më pak invazive ka ndryshuar mënyrën e trajtimit të këtyre pacientëve. Procedura TAVR mundëson vendosjen e valvulës së re përmes një kateteri, zakonisht duke kaluar nga një arterie, pa qenë e nevojshme hapja e kraharorit.
Fillimisht kjo teknikë u rezervua për pacientët me rrezik të lartë kirurgjikal, por sot përdoret gjithnjë e më shpesh edhe te pacientët me rrezik të ulët. Pikërisht për këtë arsye, qëndrueshmëria afatgjatë e këtyre valvulave është bërë objekt i shumë studimeve.
Çfarë tregoi studimi PARTNER 3?
Studimi përfshiu 1.000 pacientë me stenozë të rëndë simptomatike të valvulës aortale dhe me rrezik të ulët për ndërhyrje kirurgjikale.
Për analizën e qëndrueshmërisë së valvulës u morën në shqyrtim 495 pacientë të trajtuar me procedurën TAVR duke përdorur valvulën SAPIEN 3, ndërsa 453 pacientë iu nënshtruan zëvendësimit kirurgjikal të valvulës.
Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte rreth 74 vjeç dhe të gjithë u ndoqën për një periudhë shtatëvjeçare, gjatë së cilës funksioni i valvulës u monitorua rregullisht me ekzaminime, përfshirë ekokardiografinë.
Rezultatet ishin pothuajse identike?
Pas shtatë vitesh, studiuesit konstatuan se të dyja metodat ofronin rezultate shumë të ngjashme për sa i përket qëndrueshmërisë së valvulës.
Dëmtimi strukturor i rëndësishëm i bioprotezës u regjistrua te 7,3% e pacientëve që kishin kryer TAVR dhe te 7,6% e pacientëve të trajtuar me kirurgji.
Edhe dështimi i bioprotezës, pavarësisht shkakut, rezultoi pothuajse i njëjtë: 6,9% në grupin TAVR kundrejt 7,5% në grupin kirurgjikal.
Nevoja për një ndërhyrje të re në valvul ishte gjithashtu e ngjashme, duke u regjistruar te 6% e pacientëve me TAVR dhe te 5,5% e atyre që iu nënshtruan operacionit.
Në fund të periudhës shtatëvjeçare, 73,4% e pacientëve të trajtuar me TAVR dhe 74,8% e pacientëve të operuar ishin gjallë dhe pa shenja të dështimit të bioprotezës.
Tromboza ishte dallimi kryesor!
Megjithëse rezultatet e përgjithshme ishin shumë të ngjashme, studiuesit evidentuan një ndryshim të rëndësishëm mes dy metodave.
Mosfunksionimi i valvulës i lidhur me trombozën u regjistrua te 5,2% e pacientëve që kishin kryer TAVR, ndërsa te pacientët e trajtuar me kirurgji kjo përqindje ishte vetëm 0,9%.
Sipas autorëve të studimit, shumica e rasteve të trombozës pas TAVR-it u shfaqën gjatë tre viteve të para pas ndërhyrjes dhe, në pjesën më të madhe të rasteve, u zgjidhën spontanisht ose pas trajtimit. Vetëm një numër i vogël pacientësh zhvilloi dështim të bioprotezës si pasojë e këtij komplikacioni.
Ndërkohë, rastet e endokarditit, një infeksion serioz i valvulës, ishin të rralla dhe me frekuencë pothuajse të njëjtë në të dy grupet.
A është TAVR zgjedhja më e mirë?
Rezultatet e studimit përforcojnë besimin se TAVR është një alternativë e sigurt dhe efektive edhe për pacientët me rrezik të ulët kirurgjikal. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se procedura është zgjidhja ideale për çdo pacient.
Vendimi për trajtimin duhet të merret individualisht, duke marrë në konsideratë faktorë të tillë si mosha, anatomia e valvulës dhe e enëve të gjakut, prania e sëmundjeve të arterieve koronare, sëmundjet shoqëruese dhe jetëgjatësia e pritshme.
Në të njëjtën kohë, studiuesit nënvizojnë rëndësinë e monitorimit të rregullt të pacientëve pas procedurës TAVR, sidomos për zbulimin e hershëm të trombozës së valvulës.
Ndërkohë, ndjekja dhjetëvjeçare e pjesëmarrësve në studimin PARTNER 3 pritet të ofrojë një panoramë edhe më të qartë mbi qëndrueshmërinë shumë afatgjatë të valvulave të vendosura me këtë teknikë minimalisht invazive.