Rita Ora thuhet se do të drejtojë ‘MTV Europe Music Awards’ kur eventi të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar muajin e ardhshëm. Krijuesja e hitit “Hot Right Now” thuhet se është në bisedime të avancuara për të prezantuar ceremoninë e cila do të mbahet në Co-op Live Arena të Mançesterit më 10 nëntor.
Ndërsa ylli kohët e fundit prishi marrëveshjen me menaxheren e saj afatgjate dhe drejtuesen e “First Access Entertainment” Sarah Stennett, ajo tashmë po pret me padurim projekte të reja, shkruan DailyMail. Një burim i tha The Sun:
Rita nuk mund të ishte më e emocionuar. Ajo është shumë e angazhuar për momentin, por dashuria e saj e parë do të jetë gjithmonë muzika, prandaj kur iu kërkua të prezantonte ceremoninë, ajo e kapi rastin. Bisedimet mes MTV-së dhe menaxhmentit të ri të Rita-s janë duke vazhduar dhe ata thjesht po shikojnë detajet më të imëta.
Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora ka ndarë rrugët me menaxheren e saj, Sarah Stennett, e njohur si një nga lideret më të fuqishme në industrinë e muzikës. Stennett, e cila ka kontribuar në karrierat e artistëve të njohur si Sugababes, Ellie Goulding dhe Jessie J, ka udhëhequr karrierën e Ritës që nga viti 2009.
Së fundmi, Ora ka nënshkruar në mënyrë të qetë me ‘Range Media Partners’, që e përshkruan atë si një “talent të shumëanshëm”. Ky hap sugjeron se Rita është në kërkim të sfidave të reja, duke u fokusuar në aspekte të ndryshme të karrierës së saj, përveç muzikës.