Suedezi Armand Duplantis theu mbrëmë në Paris rekordin botëror në kërcim me shtizë për të nëntën herë në karrierën e tij, duke arritur kështu medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2024. Duplantis u hodh mbi shirit në një lartësi gati joreale prej 6.25 metrash dhe tejkaloi sërish veten duke thyer rekordin botëror për të nëntën herë edhe pse është vetëm 24 vjeç. Për herë të parë, Duplantis theu rekordin botëror në shkurt të vitit 2020, kur kaloi shiritin në lartësinë 6.17 metra dhe që atëherë e ka përmirësuar me një centimetër shtatë herë të tjera radhazi.
Mbrëmjen e djeshme, Duplantis jo vetëm që ka gëzuar publikun me kërcimin e tij, por edhe me festimin e një rekord të ri, sepse vendosi të imitojë turkun Yusuf Dikeç, njeriun që u bë viral në Lojërat Olimpike të këtij viti. Dikeç garoi në gjuajtjen me pistoletë në dhjetë metra, ku së bashku me Shevala Tarhan i sollën Turqisë medaljen e argjendtë.
Qitësi turk fitoi simpatinë e fansave pasi qëlloi pa pajisje shtesë, përveç tapave në vesh, ndërsa dorën tjetër e mbajti në xhep duke goditur objektivin. Pas kërcimit të mbrëmshëm, Duplantis është ndalur dhe ka imituar qëndrimin e Dikeç dhe fotot tashmë janë bërë virale në rrjetet sociale.