Celebrities Gossip Showbiz

U akuzua për përdhunim, aktori i njohur Danny Masterson shpallet fajtor dhe rrezikon deri në 30 vite burg!

Danny Masterson, aktori i njohur për rolin e tij në serialin “That ’70s Show”, është shpallur së fundmi fajtor për dy akuza për përdhunim në një rigjykim në Los Angeles. Juria nuk mund të jepte një vendim për akuzën e tretë lidhur me dyshimin se ka përdhunuar të dashurën me të cilën ishte në lidhje një kohë të gjatë. Masterson është nxjerrë me pranga nga salla e gjyqit dhe thuhet se rrezikon deri në 30 vite burg. Prokurorët, thanë se aktori përdhunoi tri gra duke përfshirë edhe të dashurën, në shtëpinë e tij në Hollywood Hills në periudhën midis viteve 2001 dhe 2003.

Ata gjithashtu pretenduan se ai i drogonte ato në mënyrë që të mund t’i përdhunonte dhe e shfrytëzoi rëndësinë e tij në kishën e Scientologjisë ku të tri gratë ishin gjithashtu anëtare në atë kohë për të shmangur pasojat për dekada. Masterson nuk dëshmoi, ndërsa avokatët e tij nuk thirrën dëshmitarë. Mbrojtja argumentoi se aktet ishin konsensuale dhe u përpoq të diskreditonte historitë e grave duke nënvizuar ndryshimet dhe mospërputhjet me kalimin e kohës, për të cilat thanë se tregonin shenja koordinimi mes tyre.

Dy gra, të cilat e njihnin Masterson nga rrethet shoqërore të Kishës, thanë se ai u dha atyre pije dhe kjo i bëri të trulloseshin ose të humbnin vetëdijen para se t’i përdhunonte. Akuzat datojnë që kur Masterson ishte në kulmin e famës së tij, duke luajtur nga viti 1998 deri në vitin 2006, si Steven Hyde në “That ’70s Show” të FOX së bashku me Ashton Kutcher, Mila Kunis dhe Topher Grace.