Bota

UBS: “Pandemia shtoi pasurinë e më të pasurve të botës”

Miliarderët më të mëdhenj raportuan fitime kolosale gjatë pandemisë botërore të koronavirusit, mes të cilëve më të suksesshmit ishin ekzekutivët e teknologjisë dhe industrisë. Ndërkohe kriza shëndetësore ka rrënuar miliona familje të varfra në të gjithë vendet e botës.

Një raport i bankës zvicerjane ‘UBS’ tha se më të pasurit shtuan pasurinë e tyre me 27.5% nga marsi deri në korrik të këtij viti, në $10.2 trilionë. Kjo është më e lartë sesa përfitimet prej $8.9 trilionë të më të pasurve në fund të 2017 që asokohe erdhi nga rritja e çmimeve të aksioneve.
UBS tha gjithashtu se numri i miliarderëve ishte rritur në 2,189, nga 2,158 në 2017.

Raporti vjen në të njëjtën kohë kur Banka Botërore thotë se pandemia ka varfëruar miliona vetë në të gjithë botën. Miliarderët e teknologjisë kishin shtuar pasurinë e tyre me 41%, teksa UBS tha se kjo erdhi prej rritjes së kërkesës për mallrat e shërbimet e tyre nga koronavirusi, ndërsa rregullat e distancimit social kishin shtuar përdorimin e kontakteve dixhitale. Miliarderët e farmaceutikës kishin përfituar pasi pandemia kishte sjellë në vëmendje kompanitë e prodhimit të pajisjeve mjekësore.

Kreu i Amazon Jeff Bezos dhe ai i Tesla, Elon Musk patën fitime të larta kësaj vere prej rritjes së çmimit të aksioneve në kompanitë e tyre. Raporti tha se gjatë 11 vjetëve të fundit miliarderët e Kinës kishin shtuar pasurinë e tyre me 1,146% por akumulimi më i madh i pasurisë mbetej në SHBA, miliarderët e të cilës zotërojnë $3.5 trilionë, në krahasim me $1.7 trilionë të Kinës. Sipas raportit, miliarderët e Britanisë zotëronin $205 miliardë, ata të Gjermanisë $595 miliardë dhe të Frances $443 miliardë.