Aktualitet Food & Drink Health & Beauty

Ushqimet dhe jeta sedentare, trefishohen rastet me diabet në vend!

Në vendin tonë kërkohet plan kombëtar për të parandaluar diabetin dhe ndërlikimet që e shoqërojnë, përfshirë humbjen e shikimit apo të një gjymtyre. Në krahasim me 2005-ën, mjekët thonë se janë trefishuar rastet me diabet. Mjeku endokrinolog, Florian Toti:

Që në vitin 2005 në shërbimin e Endokrinologjisë në bashkëpunim dhe me Institutin e Shëndetit Publik, ne filluam një projekt kombëtar për të bërë një regjistër të diabetit. Në atë kohë, në Shqipëri kishte rreth 30 mijë persona me diabet, sot kemi 86 mijë, shifra e fundit. Pra, kemi një rritje gati trefish të numrit të personave me diabet. Ajo që kemi vënë re është rritur edema makulare sepse dëmtimi i syrit në diabet nuk përfshin vetëm retinopatinë diabetike, por edhe edemën makulare. Madje, shpesh është edema makulare më tepër përgjegjëse për uljen e shikimit se retinopatia diabetike. Ka një rritje të lehtë të verbimit nga 0.7 në 1% e është rritur edhe këmba diabetike.

Shumëfishimi i numrit të pacientëve me diabet lidhet me ushqimet që po konsumojnë qytetarët në Shqipëri ndërsa ka një alarm që pjesa më  e madhe e produkteve stimulohen me hormone. Kjo vlen për mishin, perimet, frutat e për nënproduktet e qumështit të cilat janë me qumësht pluhur dhe niseshte.

Por, mjekët thonë se edhe mungesa e aktivitetit fizik është ndër shkaqet kryesore, pasi shqiptarët përdorin  makinën  edhe  për distanca të shkurtra. Në mënyrë të shpejtë kërkohet parandalim që në fëmijëri pasi sëmundja e diabetit është ndër më të kushtueshmet, si për familjen që ka një pjesëtar me diabet, por edhe për shoqërinë.