Bota

Vazhdojnë bombardimet në Mariupol, pavarësisht evakuimeve!

Në 35 ditët e para të luftës, në Ukrainë kanë lindur 987 fëmijë dhe referuar shifrave të Kievit zyrtar, 148 të tjerë humbën jetën. Po ashtu, raportohet për 232 të plagosur. Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, ka shkuar në 4 milion numri i personave që në një muaj janë larguar nga Ukraina, që kur vendi u pushtua nga Rusia, më 24 shkurt.

Angelina Jolie viziton spitalin Bambino Gesù të Romës për të takuar fëmijët ukrainas që për t’i shpëtuar konfliktit kanë shkuar në Itali e që për shkak të problemeve shëndetësore kanë nevojë për kujdesin e veçantë të mjekëve e infermierëve. Aktorja e njohur hollivudiane, e cila është edhe ambasadore e Kombeve të Bashkuara, thekson:

Po lutem për fundin e luftës! Kjo është e vetmja mënyrë për të ndalur vuajtjen e arratinë nga zonat e luftës. Eshtë e tmerrshme të shohësh fëmijë që paguajnë çmimin me jetë të humbura, shëndet të dëmtuar e trauma.

Mariupoli vazhdon të sulmohet dhe armëpushimi është në fuqi vetëm për pjesën e korridoreve humanitare, pra në segmentin nga Berdyansk-u në Zaporizhzhia. Lajmin e jep zv.kryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk, e cila gjithashtu jep alarmin për situatën në Çernobil, aty ku gjendet centrali bërthamor.

Gjendja është katastrofike, rusët nuk kanë kontrollin e saj. Rrezikohen pasoja më të rënda dhe pjesa përreth centralit duhet të çmilitarizohet.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg shpjegon se “Rusia nuk ka ndërmend të ndalë ofensivën”.

Moska nuk po tërhiqet, madje synon të përforcojë operacionin ushtarak në Donbas e të mbajë presionin e saj mbi Kievin. Duhet të presim për të tjera veprime ushtarake e më shumë vuajtje.

Qeveria britanike njoftoi 14 sanksione të reja për drejtuesit e mediave shtetërore ruse, si dhe për gjeneralin Mikhail Mizintsev, i njohur ndryshe si “kasapi i Mariupolit” për sulmet shkatërrimtare të forcave të drejtuara prej tij, në qytetin ukrainas, që mbahet i rrethuar.