Tech

Versioni i ri nga Windows do të vijë pa aplikacionin WordPad!

Për herë të parë në 40 vjet, versioni i ri nga Windows do të vijë pa aplikacionin WordPad. Shumë prej aplikacioneve të Windows si Calculator, Media Player, Paint dhe Snipping, kanë marrë një lloj ridizajnimi dhe veçori të reja në çdo version të sistemit operativ, ndryshime këto nga të cilat është përjashtuar vetëm redaktori i tekstit, WordPad.

Megjithëse shumë më i kufizuar se Microsoft Word, WordPad është i aftë për të ruajtur dhe lexuar dokumente të ndryshme. Përditësimi i tij thelbësor më i fundit ishte në Windows 7, version ky i cili është i pranishëm edhe në Windows 11, por me pak modifikime.

Por, duket se redaktori nuk do të fitojë një ridizajnim për të mbajtur ritmin e njëjtë me aplikacionet e tjera. Windows ka njoftuar se WordPad “nuk do të përditësohet më” dhe do të largohet nga versionet e tij të ardhshme. Nuk duket se gjiganti teknologjik ka plane për krijimin e ndonjë tjetër lloj redaktori të tekstit, por përdoruesit janë të lirë të përdorin një gamë të gjerë alternativash në uebfaqe të ndryshme.

Ndërkaq, Windows 12 pritet të prezantohet gjatë këtij viti dhe vjen i mbështetur nga Inteligjenca Artificiale. Prej kohësh është spekuluar se Windows 12 do të varet më shumë nga sistemet dhe zgjidhjet e Al. Kompjuterë të tillë do të përfaqësojnë një gjeneratë të re, në të cilën Microsoft sheh potencial të ri. Sipas një raporti nga analistë të TrendForce, aplikacionet e Al do të zgjerohen dhe përpunohen, për t’u transferuar pjesërisht në shërbimet dhe serverët e mëdhenj të kompjuterëve. Rrjedhimisht, edhe ata do të duhet të jenë më të fuqishëm prandaj këtë vit pritet shfaqja e procesorëve më të avancuar, të cilët më së paku duhet të ofrojnë 40 TOPS.