Aktualitet

Zëvendësimi i 4 deputetëve që lëshuan mandatet!

Nuk pati asnjë surprizë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zëvendësoi deputetët e larguar që pasi morën mandate në votimet e fundit parlamentare, vendosën të heqin dorë. Kuvendit të Shqipërisë iu bashkohen 4 emra të rinj që do të zëvendësojnë ata që për arsye të ndryshme, zgjodhën të mos jenë në Kuvendin, që nisi sot Legjislaturën e 10-të me dy momente kulmore: rikthimin e Opozitës e në veçanti të Sali Berishës i përjashtuar mbrëmë nga grupi demokrat me kërkesë të amerikanëve e vendim të Lulzim Bashës.

Në Tiranë, mjekja Najada Çomo njoftoi dorëzimin e mandatit të deputetes që tashmë i kalon Mimi Kodhelit në radhët e socialistëve.

Po në mesin e socialistëve, dorëheqja e njoftuar disa ditë më parë në Durrës nga Lefter Koka bën që vendi i tij në Kuvend t’i kalojë Denis Deliut.

Në Fier, Gramoz Ruçin e zëvendëson Mirela Pitushi në listën e Partisë Socialiste në këtë qark.

Në Lezhë, mandati i demokratit Mark Marku i kalon Elda Hotit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot në orën 13:00.