Deputetet e opozitës iu drejtuan me një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, që të mos dekretojë dhe të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për Barazinë Gjinore”, i miratuar nga Kuvendi më 6 nëntor. Aty evidentohen të gjitha argumentet për anti-kushtetueshmërinë e ligjit. Në kërkesë theksohet:
Presidenti është përpara një prove historike: A do të mbrojë parimet e Kushtetutës, të arsyes dhe të lirisë, apo do të dorëzohet para imponimit të ideologjisë?
Për këtë arsye, ju kërkojmë që të paktën një herë të vetme gjatë ushtrimit të detyrës tuaj si President i Republikës, të ngriheni në lartësinë e detyrës, të ndaloni përçarjen, deformimin, denatyrimin, dhe të ndiqni edhe këshillat e komuniteteve fetare, për të ruajtur traditën shqiptare se asnjë rregull në shoqrinë tonë nuk mund të imponohet në kundërshti me përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
Për të gjitha sa më lart, Të riktheni për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për barazinë gjinore”, sipas kompetencës që ju njeh Kushtetuta në nenin 85 të saj, thuhet në kërkesë.
Gratë deputete të opozitës e cilësojnë ligjin si antikushtetues dhe në kundërshtim me vlerat tradicionale e të drejtën europiane.
Sipas tyre, ligji përmban nene që bien ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë, me të drejtën ndërkombëtare dhe me Kodinin e Familjes, se siç theksojnë, ndryshon kuptimin biologjik dhe juridik të konceptit të gjinisë.
Në kërkesën zyrtare, deputetet argumentojnë se ligji fut në legjislacion nocione të reja si “identitet gjinor”, “shprehje gjinore” dhe “përkatësi e shumëfishtë gjinore”, që sipas tyre, relativizojnë dallimet biologjike mes burrit e gruas, si dhe krijojnë hapësirë për pasiguri ligjore në raport me të drejtat e familjes dhe të fëmijës.
Në këtë formë, ligji rrezikon të cënojë të drejtat prindërore, lirinë e shprehjes dhe lirinë e fesë, duke krijuar pasiguri juridike për mësimdhënien dhe edukimin e fëmijëve, thuhet në kërkesën e firmosur nga disa deputete opozitare.
Sipas tyre, neni që i referohet “barazisë gjinore” në baza të “identitetit ose shprehjes gjinore” është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese që njohin barazinë ligjore midis burrit dhe gruas, ndërkohë që në Kodin e Familjes gjinia është përcaktuar vetëm si kategori biologjike.
Deputetet kërkojnë që Presidenti të përdorë kompetencën kushtetuese për kthimin e ligjit në Kuvend, në mënyrë që të zhvillohet një debat i gjerë publik dhe institucional mbi përmbajtjen e tij.
Shoqëria shqiptare nuk është përgatitur për ndryshime të tilla konceptuale dhe se ligji në formën aktuale nuk mbron gruan, por zëvendëson nocionin e saj me një kategori të paqartë gjinore.
Si argument, sollën edhe qëndrimet e disa organizatave “Pro Familjes” e juristëve të pavarur, të cilët kanë paralajmëruar se neni për identitetin gjinor mund të përdoret për të ndikuar në tekstet mësimore, reklamat publike dhe politikat e punësimit, duke u shndërruar, sipas tyre, “në një formë të imponimit ideologjik”.
Ligji “Për barazinë gjinore” u miratua nga Kuvendi me shumicë votash në fillim të nëntorit dhe sipas qeverisë synon përafrimin me standardet e Bashkimit Europian dhe me Konventën e Këshillit të Europës për barazinë gjinore e mosdiskriminimin.