Celebrities Film & Tv

“Zgjoi” është zyrtarisht në listën e ngushtë të Oscars 2022!

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të 94-të të ndarjes së çmimeve Oscars. Votimi në listën e ngushtë përfundoi më 15 dhjetor dhe të tjerët do të kalojnë në fazën e parë të votimit zyrtar. Votimi i nominimeve fillon të enjten, më 27 janar dhe përfundon të martën, më 1 shkurt. Pjesa tjetër e nominimeve për Oscar do të publikohen më 8 shkurt.

Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” është edhe filmi shqiptar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili është propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.

Në raundin paraprak të votimit u ftuan anëtarë të Akademisë nga të gjitha fushat. Megjithatë, ata duhet të kenë plotësuar një kërkesë minimale të të parit të filmave për të votuar në kategori. E njëjta gjë do të zbatohet për raundin e nominimeve, me pjesëmarrësit që zgjidhen dhe duhet të shohin të 15 filmat e listës dhe të votojnë për ata që do të nominohen përfundimisht për çmimin.

Ndërkohë, Elisabeth Moss dhe Lindsey McManus janë bërë pjesë si producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” të shkrimtares dhe regjisores Blerta Basholli. “Zgjoi” tregon historinë e vërtetë të Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur burri i saj u zhduk gjatë luftës në Kosovë në fund të viteve 1990. Për të siguruar jetesën e familjes së saj në vështirësi, ajo mbledh të vejat e tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes duke shitur ajvar, një produkt ushqimor vendas nga specat dhe patëllxhanët dhe së bashku ato gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre.

Kur filmi debutoi këtë vit në “Sundance Film Festival”, ai u bë i pari në historinë e festivalit që fitoi të tre çmimet kryesore, përfshirë Çmimin e Madh të Jurisë, Çmimin e Audiencës dhe Çmimin e Regjisë. Yll Uka, Valon Bajgora dhe Agon Uka prodhuan dramën e xhiruar nga Alex Bloom, me Britta Rindelaub, Tomi Salkovski dhe Paskal Semini si bashkëproducentë. Moss dhe McManus i bashkohen Yll Ukës, Agon Ukës dhe Valon Bajgorës si producentë ekzekutiv.