Përfaqësuesi aktual i BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nuk do ta marrë detyrën e ambasadorit të Unionit në Zvicër. Kjo për shkak të “zhvillimeve të paparashikuara”, por nuk jepen detaje për natyrën e tyre. Lajçak duhej të qëndronte në këtë post deri në janar 2025 dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë me rolin e tij si ndërmjetës i bisedimeve Prishtinë-Beograd.
Lajçak u emërua ambasador i BE-së në Zvicër në fillim të këtij viti, ndërsa në korrik, vendet anëtare të bllokut ranë dakord për t’ia zgjatur mandatin si i dërguari i posaçëm për dialogun, deri në janar të vitit 2025. Por dje, delegacioni i Unionit në Zvicër njoftoi se ambasadorit Petros Mavromichalis i është zgjatur mandati deri më 31 gusht 2025.
Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, Mirosllav Lajçak nuk do ta marrë postin e ambasadorit në Bernë. Mandati i ambasadorit Petros Mavromichalis është zgjatur deri më 31.08.2025.
Gjatë kësaj vere, Bashkimi Europian ka qenë në kërkim të opsioneve për ta gjetur zëvendësuesin e Lajçakut. Një ditë më parë, Lajçak ishte në Prishtinë ku takoi zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Zyrtari europian bëri të ditur se me Bislimin u arrit dakordësi për një raund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk tregoi ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi.
Lajçak bëri të ditur se Serbia tërhoqi letrën dërguar Bllokut, me rezerva lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Dhjetorin e kaluar, kryeministrja e atëhershme, Ana Bërnabiç, i dërgoi Bashkimit Europian një letër me rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, si dhe Aneksin për zbatim, të dakordësuar në Ohër.
Aty thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes “de facto” dhe “de jure” të Kosovës.
Pas takimit në Prishtinë me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja ende është e vlefshme. Më tej, vuri në dukje se kohë pas kohe, ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshjes.
Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme dhe po punojmë për zbatimin e saj. Asnjë palë nuk është tërhequr nga ky akord e po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin.
Marrëveshja me 11 nene, ndër të tjera përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje reciproke të simboleve shtetërore ndërsa nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha dakordësitë e arritura më parë gjatë dialogut mes palëve.