Rajoni

Kallas: Zgjedhjet në Kosovë vonojnë dialogun Prishtinë-Beograd!

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse prej kohësh, nuk ka pasur një raund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

Gazetarëve, iu tha se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

Në fakt, ne kishim planifikuar dialogun mes Beogradit e Prishtinës, dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve nga Kosova dhe nga Serbia. Por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin.

Megjithatë, unë po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në shtator 2023.

Kallas e mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor 2024 e deri tani nuk ka pasur rast të jetë organizatore e ndonjë raundi bisedimesh.

Sot, pret një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor.

Bisedimet mes 27 shefave të diplomacive europiane dhe gjashtë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit pritet të shërbejnë si hyrje për një debat të mëtejshëm mbi situatën në rajon, që zhvillohet po sot, por në nivel të ministrave të BE-së.