Rajoni

Zubin Potok, digjen dy makina të serbëve të Kosovës!

Në Zubin Potok digjen dy makina që më herët ishin riregjistruar me targat Republika e Kosovës (RKS). Kjo kishte ndodhur rreth një javë më parë, siç edhe bën të ditur Policia e Kosovës. Forcat e rendit deklaruan se dy persona të kombësisë serbe denoncuan rastin në polici, duke treguar se autoveturat e tyre ishin djegur rreth orës 02:30 të mëngjesit nga persona të panjohur. Në njoftimin zyrtar thuhet:

Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit.

Duhet theksuar se kjo nuk është hera e parë që në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe digjen makina me targa RKS. Në fund të vitit të kaluar, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha mjetet me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë patën ngritur barrikada në veri. Por, barrikadat u hoqën disa ditë më vonë kur ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpie.

Ndërkohë, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ranë dakord për zgjidhjen e çështjes së targave. Kjo pasi Prishtina hoqi dorë nga veprimet që kishin të bëjnë me vendimin për riregjistrimin e targave, ndërsa Serbia ra dakord se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka treguar se sa makina janë ri-regjistruar në RKS deri tani, por kryeministri Albin Kurti deklaroi më 22 mars, se gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po pajisen me targa RKS. Vlerësohet se në veriun e Kosovës janë rreth 10 mijë makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.