Rezulton negativ në testin e drogës, Damiano David, vokalisti i grupit italian Maneskin që më 22 maj fitoi Eurovision Song Contest në Holandë. Lajmin e konfirmuan organizatorët e festivalit.
Fitorja e Italisë në eventin e rëndësishëm muzikor u zbeh për shkak të videos virale, me pamje që e shfaqnin 22-vjeçarin me kokën e ulur në tavolinë, në zonën ku ishin akomoduar garuesit. Më pas nisën spekulimet se po thithte kokainë.
I pyetur në një konferencë shtypi të dielën, David mohoi gjithçka e deklaroi se po shihte poshtë pasi kitaristi, Thomas Raggi, theu një gotë.
Unioni i Transmetuesve Europianë, EBU, organizator i Eurovision-it, deklaroi:
Asnjë përdorim droge nuk ndodhi në Dhomën e Gjelbër dhe ne e konsiderojmë çështjen të mbyllur!
Pas akuzave lidhur me përdorim droge në prapaskenë, EBU me seli në Gjenevë tha se kontrolloi te gjitha pamjet në dispozicion.
Një ditë më parë, Damiano David vullnetarisht iu nënshtrua një testi droge dhe EBU u njoh me rezultatin. Grupi italian Maneskin ishte në konkurencë të ngushtë më Francën e Zvicrën, por arriti 524 pikë duke u shpallur fitues me këngën “Zitti e Buoni”.
Më herët reaguan edhe zyrtarë të qeverisë franceze. Ministri për Europën, Clement Beaune bëri thirrje për “transparencë totale” mbi çështjen e përdorimit të mundshëm të lëndëve narkotike.
Nëse ka një problem, ka ndëshkime duke përfshirë edhe skualifikimin e mundshëm!
Eurovision është një festival i përvitshëm që ndiqet nga miliona njerëz e ku ku këtë vit Shqipëria u përfaqësua me Anxhela Peristerin duke u kualifikuar në finale me këngën Karma, por në fund u rendit e 21-ta. Për herë të parë, Eurovision u mbajt në 1956-ën, në kuadër të projektit për të bashkuar Europën pas Luftës së Dytë Botërore.