Një studim i ri nga Universiteti i Washington-it tregon se gjendja ekonomike e familjes dhe mjedisi ku rriten fëmijët kanë ndikim të madh në zhvillimin e trurit të tyre. Studiuesit analizuan rreth 12,000 fëmijë të moshës 9-10 vjeç dhe zbuluan se faktorët socio-ekonomikë shpjegojnë rreth 16% të ndryshimeve në funksionin e trurit, duke pasur ndikim më të madh se IQ-ja, mënyra e prindërimit apo historia shëndetësore.
Sipas studiuesve, fëmijët që rriten në kushte më të vështira ekonomike shpesh përjetojnë më shumë stres dhe gjumë më të dobët, gjë që ndikon në zhvillimin e trurit. Megjithatë, ata theksojnë se kjo nuk do të thotë që këta fëmijë janë më pak inteligjentë, por që kushtet e jetesës ndikojnë në mënyrën si truri zhvillohet dhe funksionon gjatë rritjes.
Mbi 10% e popullsisë që jeton në Shqipëri është në vështirësi shumë të mëdha për të përballuar jetesën e përditshme sipas të dhënave nga databaza e INSTAT-it, të rishikuara me censin e ri të popullsisë 2023. Sipas të dhënave zyrtare të Anketës së Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, përqindja e familjeve që deklarojnë se e sigurojnë jetesën me shumë vështirësi ka rënë nga 18.0% që ishte në vitin 2021, në 10.2% në vitin 2024. Ky përmirësim statistikor nuk erdhi nga niveli i jetesës, po nga kalibrimi i të dhënave bazuar mbi strukturën e re demografike të Censit. Duke iu referuar të dhënave të reja aktualisht në Shqipëri janë rreth 245,015 individë që vuajnë nga varfëria e skajshme.