Studentët e Fakultetit të Mjekësisë protestuan dhe sot, duke përsëritur thirrjet kundër punësimit të detyruar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
Duke marrë shkas nga propozimi më i fundit nga ministret e Shëndetësisë e të Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe Evis Kushi, si dhe rektori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Arben Gjata, shprehim mospajtimin tonë të thellë.
Protesta e tyre nisi këtë mëngjes fillimisht përballë Fakultetit të Mjekësisë dhe më pas studentët u zhvendosën duke marshuar drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit.
Një ditë para se studentët e Mjekësisë të zhvillonin protestën e radhës pasi nuk janë dakord që në përfundim të studimeve të detyrohen të ofrojnë shërbim shëndetësor në Shqipëri, rektori Arben Gjata shpjegoi se nuk ka asnjë vendim përfundimtar, por kjo është në fazë diskutimi, në kuadër të frenimit të largimit të mjekëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Për studentët e Mjekësisë kjo është një fazë diskutimi, por nuk ka asnjë draft të përgatitur. Një nga propozimet që është bërë nga ana e qeverisë shqiptare ka qenë dhe sigurimi i vendeve të punës, pas mbarimit të studimeve në sektorin publik, shoqëruar nga një kontratë për të shërbyer tre vite në Shqipëri, duke mos i përjashtuar nga ndjekja e studimeve dhe specializimeve.
Me një përllogaritje të përafërt, shteti shqiptar shpenzon rreth 3 mijë dollarë në vit për një student të Fakultetit të Mjekësisë e që për 6 vite Mjekësi e Përgjithshme përllogaritet një kosto prej 18 mijë dollarësh. Po diskutohet që pas përfundimit të studimeve, një student duhet të shërbejë në vendin e tij ose në rast të kundërt, të kthejë koston e parave të paguara.
Për studentët e Mjekësisë, tarifa e studimit është 45 mijë lekë të reja në vit, por bëhet e ditur se vetëm një pakicë e paguan atë të plotë.