Aktualitet

Rama: Çfarë problemi ka që ndodhin protestat? Në 2029 bëhet bilanci, do kërkoj mandat të 5-të

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat me pikënisje kundërshtimin e projektit turistik në Zvërnes dhe që tashmë janë kthyer në protesta për largimin e tij nga pushteti.

Gjatë një interviste për Top Channel, Rama u shpreh se protestat “nuk janë një matje force”, duke shtuar se do të respektojë ‘kontratën’ që ka me shqiptarët, duke iu referuar mandatit për të qeverisur deri në vitin 2029.

Madje, jo vetëm kaq por ai la të kuptohet se në këtë vit do të kërkojë dhe një mandat të pestë.

“Mesa di unë mandati mbaron në 2029, do bëhet bilanci dhe do të jetë populli që do japë votën e vetë”, u shpreh Rama. “Unë kam një kontratë me shqiptarët dhe do e respektoj deri në fund. Nuk diskutohet”, ka shtuar ai.

“Çfarë problemi ka që ndodhin protestat në lidhje me atë që thashë? Protestat janë pjesë e jetës demokratike në një vend të lirë. Protestat nuk janë matje force dhe as nuk maten me numra në kuptimin që pavarësisht se numrat mund të jenë të vegjël ose të mëdhenj, por maten me qëllime, kauzën dhe kërkesat”, tha Rama.

Kreu i qeverisë komentoi edhe thirrjet “Rama në burg”, duke u shpreh se “koha kur njerëzit linçoheshin me turma ka vdekur njëherë e mirë”.