Botë e Çuditshme

Vëllezërit indianë martohen me të njëjtën grua!

Dy vëllezër në Indi janë martuar me të njëjtën grua, duke ruajtur një zakon të lashtë dhe duke shkaktuar kritika nga një grup për të drejtat e grave. Poliandria është e ndaluar në Indi, por është e ligjshme në disa zona fisnore, duke përfshirë territoret e Himalajeve, duke lejuar ruajtjen e disa traditave të lashta.

Pradeep dhe Kapil Negi, u martuan me Sunita Chauhan në një martesë tre-ditore, të ndjekur nga qindra fshatarë dhe të afërm më 12 korrik në shtetin himalajan të Himachal Pradesh. Gjatë ceremonisë, treshja nga fisi Hatti u rrethuan një zjarr që konsiderohej i shenjtë, ndërsa fshatarët këndonin këngë popullore.

“Ne e ndoqëm traditën publikisht pasi jemi krenarë për të dhe ishte një vendim i përbashkët”-tha Pradeep, sipas agjencisë së lajmeve Press Trust of India. Vëllai i tij Kapil shtoi: “Ne po sigurojmë mbështetje, stabilitet dhe dashuri për gruan tonë si një familje e bashkuar.”

Njëri nga vëllezërit është punonjës qeveritar dhe tjetri punon jashtë shtetit. Sipas zakonit, gruaja ndërron vendin midis vëllezërve sipas një orari të rënë dakord reciprokisht dhe familja i rrit fëmijët së bashku. Vëllai më i madh emërohet babai ligjor.

Shoqata Demokratike e Grave Gjithë Indisë (AIDWA), një grup për të drejtat e grave, e dënoi dasmën. “Akte të tilla të shfrytëzimit të grave… shkojnë kundër të drejtave themelore të një gruaje”-tha sekretarja e përgjithshme e AIDWA-s, Mariam Dhawale, për mediat lokale.

Rreth 300,000 anëtarë të fisit Hatti jetojnë në fshatra të vegjël në distriktin e largët Sirmaur të Himachal Pradesh. Ligjvënësi vendas Harshwardhan Singh Chauhan e mbrojti këtë praktikë, duke thënë se poliandria ka qenë prej kohësh një traditë e popullit Sirmaur.

“Ne kemi një ligj zakonor për të mbrojtur poliandrinë”-u tha ai gazetarëve, pasi fotot e martesës u bënë virale në mediat sociale. Kundal Lal Shashtri, një udhëheqës vendas Hatti, e justifikoi zakonin duke cituar epikën e lashtë indiane Mahabharata, në të cilën personazhi Draupadi u martua me pesë vëllezër.