Botë e Çuditshme

Insekti i rrallë që shfaqet vetëm çdo katër vjet!

Në fshatin Saiden të shtetit Meghalaya në Indi, banorët matin kohën në një mënyrë krejt të veçantë. Për ta, ardhja e Kupës së Botës dhe shfaqja e insektit të rrallë niangtaser janë pjesë e të njëjtit kalendar, pasi të dyja ndodhin një herë në katër vjet. Miliona cikada niangtaser dalin nga nëntoka pas katër vitesh të kaluara nën rrënjët e bambuve. Fenomeni zgjat vetëm disa javë, nga maji deri në qershor, kur pyjet mbushen me tingujt karakteristikë të insekteve. Për banorët vendas, kjo është një ngjarje kulturore po aq e rëndësishme sa edhe Botërori i futbollit.

Shumë familje i mbledhin insektet gjatë natës dhe i përdorin si ushqim tradicional. Ato gatuhen me kripë, spec dhe shafran Indie, ndërsa shiten edhe në tregjet lokale, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm të ardhurash për komunitetin. Sipas studiuesve, niangtaser është një specie unike e cikadës që nuk është regjistruar askund tjetër në botë. Shkencëtarët e kanë identifikuar si Ribhoi Chremistica dhe e konsiderojnë të vetmen cikadë periodike të njohur në nënkontinentin indian.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se shpyllëzimi, zjarret në pyje dhe zgjerimi i aktiviteteve njerëzore po rrezikojnë habitatin e saj natyror. Për këtë arsye, komuniteti vendas ka krijuar zona të mbrojtura ku ndalohet prerja e pemëve dhe mbledhja e insekteve gjatë periudhave të caktuara, për të garantuar mbijetesën e tyre. Për banorët e Saidenit, cikadat dhe futbolli do të mbeten të lidhura përherë. Çdo katër vjet pylli “këndon”, ndërsa në ekranet televizive nis një tjetër Kupë Bote, duke krijuar një traditë që nuk gjendet askund tjetër në planet.