Në Festivalin e 82-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, Luani i Artë për Filmin më të Mirë shkoi për “Father Mother Sister Brother” i Jim Jarmusch.
Filmi i Jarmuschit është ndërtuar mbi tre histori që eksplorojnë marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve. Mes protagonistëve emra të njohur si Cate Blanchett, Adam Driver, Tom Waits dhe Charlotte Rampling. Regjisori amerikan e përshëndeti Luanin me një “Oh dreq!”.
Venecia feston diversitetin në kinema. Ky qytet është vendlindja e Vivaldit, Casanovës, por edhe e Terence Hillit. Arti nuk duhet domosdoshmërisht të flasë për politikën për të qenë politik. Empatia është mënyra e parë për të zgjidhur problemet me të cilat po përballemi, deklaroi Jarmusch.
Luani i Argjendtë – Çmimi i Madh i Jurisë shkoi për shumë të favorizuarin “The Voice of Hind Rajab”.
I pritur me duartrokitje të zgjatura dhe të ngrohta, Luani i Argjendtë – Çmimi i Madh i Jurisë iu dha filmit “Zëri i Hind Rajabit” i regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania.
Filmi rrëfen historinë e vërtetë të Hindit, vajzës 5 vjeçare e cila gjeti vdekjen në Gaza gjatë një sulmi, pasi kaloi orë të tëra në telefon me punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe, që u përpoqën ta shpëtonin, por pa sukses.
Zëri i Hindit do të vazhdojë të jehojë derisa të vihet drejtësi në vend, vuri në dukje regjisorja tuniziane. Ne të gjithë besojmë në fuqinë e kinemasë se është ajo që na solli këtu dhe na jep guximin të tregojmë histori që përndryshe do të varroseshin. Ia dedikoj këtë çmim Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe atyre që rrezikojnë jetën për të shpëtuar jetë në Gaza, heronj të vërtetë, që përpiqen të dëgjojnë britmat e njerëzve që nuk marrin përgjigje.
Çmimi Special i Jurisë për “Sotto le nuvole” të Gianfranco Rosit. Italia ia doli të sigurojë rezultate të mira në seksionin e aktrimit: Toni Servillo fitoi Kupën Volpi për “La Grazia”, ndërsa Benedetta Porcaroli dhe Giacomo Covi u nderuan për performancat më të mira në seksionin Orizzonti.
Kupa Volpi për Aktoren më të Mirë shkoi për aktoren kineze Xin Zhilei. Benny Safdie fitoi Luanin e Argjendtë për Regjisorin më të Mirë.
Një homazh nuk mungoi për stilistin Giorgio Armani, i ndarë nga jeta pak ditë më parë. Duartrokitje të gjata, të shoqëruara me ovacione, përshëndetën mbretin e stilit italian mes luksit e thjeshtësisë.