Aktualitet Politikë

Venecia për Xhaçkën, maxhoranca: Vendimet e GJK-së të zbatueshme e jo të diktojnë votën!

Pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës, kryetarja socialiste e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka vuri në dukje se konfirmohet se parlamenti nuk është i detyruar të votojë për çështje jashtë kompetencës së tij dhe se deputetët kanë të drejtë të votojnë lirshëm, siç është sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e vitit 2011.

Për rastin e mandatit të deputetes Xhaçka, Komisioni thekson se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet nga votimi në Kuvend. Maxhoranca mbron qëndrimin se Kuvendi shqyrton çështjet e papajtueshmërisë së mandatit kur deputeti përdor pasuri publike dhe se 1/5-ta e deputetëve kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për raste të tilla. Opinioni i Komisionit ka një karakter teknik dhe nuk duhet të politizohet.

Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke siguruar që çdo veprim të jetë brenda kornizës kushtetuese dhe juridike.

Lulzim Basha reagoi lidhur me publikimin e opinionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës.

Sot ka vetëm një reagim që duhet të vijë nga mazhoranca: Të mblidhen dhe t’i heqin mandatin Olta Xhaçkës. Ky është shkurt dhe saktë opinioni i Venecias. Çdo interpretim tjetër është përpjekje mjerane për t’u kapur me thonj pas paligjshmërisë.

Në asnjë vend demokratik nuk mund të diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Në asnjë vend nuk mund të targetohet drejtësia sipas interesit politik dhe individual, siç fatkeqësisht po bëhet sot nga mazhoranca dhe një pjesë e opozitës.

Kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi reagoi më herët e tha se ky opinion konfirmoi edhe njëherë se mazhoranca kreu një puç kushtetues me qëndrimet e saj.

Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor. Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.

Edhe njëherë mashtrimi i Kryetares së Kuvendit me lajme fake të shpërndarë disa ditë më parë doli zbuluar. Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë.

Qëndrimet thelbësore të Gjykatës Kushtetuese:

Paragrafi 20:

Kuvendi argumenton se skenari i fundit është i zbatueshëm në lidhje me nenin 70(4) të Kushtetutës pasi dispozita thotë se Kuvendi “vendos” për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, Komisioni dëshiron të theksojë se në këtë rast konkret Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë tashmë një vendim se Kuvendi u detyrua të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit konkret.

Paragrafi 22:

Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 nuk duhet të shihen si çështje mandati të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare.

Paragrafi 57:

Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Kur vendimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim të fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të marrë një vendim në përputhje me gjykimin e Gjykatës dhe të votojë për çështjen e kufizuar siç është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.