Një trailer i publikuar së fundmi për vazhdimin e shumëpritur “The Devil Wears Prada 2” ka ndezur debat të fortë në rrjetet sociale, vetëm pak ditë para premierës së tij më 1 maj.
Në qendër të polemikave është një personazh i ri dytësor, Jin Chao, i luajtur nga Helen J. Shen. Ajo prezantohet si “asistentja e re e ish-asistentes” dhe shfaqet në disa skena përballë personazhit të Andy Sachs, të interpretuar nga Anne Hathaway.
Menjëherë pas publikimit të klipit 38-sekondësh nga “20th Century Studios”, rrjetet sociale u mbushën me reagime kritike. Disa përdorues e kanë cilësuar paraqitjen e personazhit si “stereotipike” dhe madje “raciste”, duke pretenduar se mënyra si është ndërtuar figura e saj përforcon klishe të vjetra për komunitetin aziatik.
Kritikat janë fokusuar te pamja e personazhit, i cili shfaqet me stil më të thjeshtë dhe syze, në kontrast me elegancën e personazheve të tjerë. Sipas komenteve online, kjo krijon një diferencim që perceptohet si problematik.
Një tjetër element që ka nxitur debat është edhe emri i personazhit, i cili, sipas disa përdoruesve, tingëllon i ngjashëm me një fyerje raciste, duke shtuar më tej polemikat.
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një fragment të shkurtër, reagimet kanë qenë të menjëhershme dhe intensive, duke hapur një diskutim më të gjerë mbi përfaqësimin dhe ndjeshmërinë kulturore në industrinë e filmit.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse këto polemika do të ndikojnë në pritjen e filmit, i cili pritet të jetë një nga projektet më të ndjekura të vitit.