Policia Kufitare ka evakuuar mesditën e sotme dy familjarë në zonën e Novoselës, ku ndodhen 10 banesa të komunitetit rom, të cilët nuk kishin dashur të largoheshin më parë.
Pavarësisht se niveli i ujit kishte arritur rreth një metër e gjysmë brenda shtëpisë, ata kishin mbetur të izoluar.
Policia Kufitare, në bashkëpunim me forcat Delta Force, ka nxjerrë dy të moshuarit dhe më pas i ka transportuar me gomone drejt rrugës kryesore në njësinë administrative Vjosë.
Në pamjet e siguruara nga korrespondenti i Top Channel Mikel Marsi, shihet momenti kur i moshuari transportohet me varkë, ndërsa në prehër mban qentë e tij dhe një dhi. Ai ka marrë edhe disa nga sendet e tij që ka pasur në banesë, për t’i shpëtuar nga përmbytjet.
Ministria e Mbrojtjes sot urdhëroi kryerjen e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë.
Kjo për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut, si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Ministria e Mbrojtjes njofton se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe familjet në zona të izoluara.
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) e Forcat e Armatosura.
Po ashtu menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.