Live From Tirana

Videoja virale e Jul Dedës pas deklaratës së Bernardit, Xheni Karaj: “A i është mohuar ndonjëherë atij të martohet me partneren e tij dhe të krijojë familje?”

E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë Xheni Karaj, aktiviste e të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Ajo ka folur më shumë mbi deklaratën e fortë të Bernardit në “Big Brother VIP 4” ku pranoi publikisht se është homoseksual. Kjo deklaratë ka ngjallur mjaft reagime në rrjet, mes tyre dhe nga aktori Jul Deda. Çfarë ka Xheni për të thënë për këtë?

Si e komenton reagimin e Jul Dedës?

M’u duk një reagim totalisht fëminor, i pamend, i veshur dhe me pak keqdashje dhe bullizëm. Por nuk pres më shumë nga Juli, sepse Juli këtë lloj qëndrimi e ka mbajtur gjithmonë. Është budallallëk i madh të ironizosh me faktin që pse të mos them dhe unë që jam krenar që jam heteroseksual. Unë një përgjigje e kam për Julin dhe për këdo që si Juli e bën këtë pyetje vetes… Ata si persona heteroseksualë, a janë dënuar, burgosur, a janë rrahur, a janë bullizuar ndonjëherë për orientimin e tyre seksual? A i është mohuar Julit të martohet me partneren e tij dhe të krijojë familje? Është frikësuar ndonjëherë se do të humbasë punën apo familjen, apo miqtë për shkak të orientimit seksual? Jo! Atëherë për këto gjëra flasim. Për gjëra shumë njerëzore.