Barra e sëmundjeve të transmetueshme dhe të patransmetueshme në popullatë po rritet nga viti në vit. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në tre muajt e fundit të 2024-ës, numri i personave që kaluan infeksion të rrugëve respiratore ishte ndjeshëm më i lartë se më 2023-shin.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga shtatori në dhjetor 2024, numri personave që kishin infeksione respiratore nga virozat ishte mesatarisht 12,500 në javë, nga më pak se 10 mijë në javë që ishin në vitin 2023, për të njëjtën periudhë.
Mjekët e specializuar për sëmundjet respiratore shpjegojnë se “numri i personave që kalojnë gripin me infeksion po rritet nga viti në vit. Shkaqet madhore për këtë situatë janë plakja e popullsisë dhe pandemia COVID-19”. Persona që e kanë kaluar me simptoma të rënda koronavirusin, tani janë më shumë të ekspozuar ndaj virozave. Gjithashtu plakja e popullsisë i bën më të brishtë në përballimin e gripit.
Numri i personave me më shumë se një diagnozë po rritet shumë shpejt, pasi kjo lidhet edhe me plakjen e brezit të bumit të lindjeve në vitet 1960, si dhe me stilin e jetesës, ndotjen, etj. Shumica e personave mbi 60 vjeç vuajnë nga diabeti dhe të tjera sëmundje bashkëshoqëruese që krijojnë një gjendje të rënduar te pacientët mbi 60 vjeç, duke shtuar nevojën për trajtim me medikamente edhe të gripit.
Të tjera të dhëna nga ISHP-ja tregojnë se në vitin 2023, numri i rasteve me kancer gjiri u rrit. Në vitin 2023, u diagnostikuan 744 gra dhe vajza me kancer të gjirit në të gjithë vendin ose 61.4 për 100 mijë. Kjo sëmundje po zhvillohet edhe te meshkujt pasi në vitin 2023 u diagnostikuan gjithashtu 15 kancere gjiri te meshkujt. Numri absolut i rasteve të diagnostikuara në vitin 2023 u rrit me 4.8% në krahasim me 2022-shin.
Sipas ISHP-së, vlerësohet të jenë rreth 5 mijë gra që jetojnë me kancerin e gjirit në vendin tonë. Risku për t’u diagnostikuar nga kanceri i gjirit, rritet me moshën deri në 70 vjeç. Risku maksimal është në moshën 50 deri në 70 vjeç. Pas kësaj moshe, vërehet një rënie. Risku është shumë i ulët, por jo zero në moshën 20-30 vjeç.
Mosha mediane e rasteve të reja në momentin e diagnozës është në 57,6 vjeç në vitin 2023. Rritja e moshës mediane është një prirje e ndikuar nga rritja e moshës mesatare të popullatës apo “plakja” relative e popullatës dhe raportohet kudo në botë, thuhet ne raportin e ISHP-së./Monitor