Pothuajse 80% e njerëzve më të varfër në botë apo afro 900 milion persona, janë direkt të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike të përkeqësuara nga ngrohja globale, duke sjellë një “barrë të dyfishtë dhe jashtëzakonisht të pabarabartë”, paralajmëruan sot Kombet e Bashkuara.
Asnjë nuk është imun ndaj efekteve gjithnjë e më të shpeshta e më të forta të ndryshimeve klimatike, si thatësirat, përmbytjet, valët e të nxehtët dhe ndotja e ajrit, por janë më të varfrit që po përballen me ndikimin më të ashpër, u shpreh Haoliang Xu, ushtrues i detyrës së administratorit për Programin e OKB-së për Zhvillim në një prononcim për AFP-në.
COP30, samitin për klimën i OKB-së që mbahet në nëntor në Brazil, paraqet “momentin kur udhëheqësit botërorë ta shohin veprimin për klimën si një veprim kundër varfërisë, shtoi ai.
Sipas një studimi vjetor të publikuar nga UNDP, së bashku me Iniciativën për Varfërinë dhe Zhvillimin Njerëzor në Oksford, 1.1 miliard njerëz, ose rreth 18% e 6.3 miliardëve në 109 vende të analizuara, jetojnë në varfëri “akute multidimensionale”.
Ky vlerësim është bërë bazuar në faktorë si mortaliteti i foshnjave, qasja në banim, higjiena, energjia elektrike dhe arsimi.