Një studim i kryer në Shkollën e Mjekësisë Botucatu të Universitetit Shtetëror të São Paulo (FMB-UNESP) në Brazil tregoi se suplementet me dozë të ulët të vitaminës D mund të rrisin efektivitetin e trajtimit me kimioterapi te gratë me kancer të gjirit. Vitamina D në kombinim me kimioterapinë pati një efekt pozitiv ndaj sëmundjes. Studimi përfshiu 80 gra mbi moshën 45 vjeçe, të cilat ishin në prag të fillimit të trajtimit në klinikën e onkologjisë të spitalit të përgjithshëm “Hospital das Clínicas” në Universitetin Shtetëror të São Paulo. Ato u ndanë në dy grupe, 40 prej tyre morën 2,000 IU (njësi ndërkombëtare) vitaminë D në ditë, ndërsa 40 të tjerat morën pilula placebo.
Pas 6 muajsh trajtimi dhe suplementimi, 43 për qind e pjesëmarrëseve që morën vitaminë D përjetuan shërim, krahasuar me 24 për qind në grupin placebo. Të gjitha pacientet iu nënshtruan të ashtuquajturës kimioterapi neoadjuvante, e cila përdoret për të lehtësuar ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e tumoreve. “Edhe me një mostër të vogël, u vërejt një ndryshim i rëndësishëm në përgjigjen ndaj kimioterapisë. Për më tepër, doza e përdorur në studim (2,000 IU në ditë) është shumë më e ulët se doza e zakonshme për trajtimin e mungesës së vitaminës D, e cila zakonisht është 50,000 IU në javë”-shpjegon Eduardo Carvalho-Pessoa, president i Shoqatës Rajonale Braziliane të Mastologjisë në São Paulo.
Për personat pa mungesë të vitaminës D, doza ditore është 600 IU. Vitamina D është një hormon që ndihmon në përthithjen e kalciumit dhe fosforit, elementë kyç për shëndetin e kockave. Studimet e fundit tregojnë se ajo luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit imunitar, duke ndihmuar në luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve, përfshirë kancerin. Megjithatë, shumica e studimeve që e lidhin këtë vitaminë me trajtimin e kancerit përdorin doza të larta të saj.
Ky hormon merret kryesisht nga ekspozimi ndaj diellit dhe nëpërmjet ushqimit. Marrja ditore e rekomanduar është 600 IU për personat pa mungesë dhe 800 IU për të moshuarit. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon 400 IU në ditë për foshnjat. Është me rëndësi të theksohet se marrja e tepërt e vitaminës D mund të jetë toksike, duke shkaktuar të vjella, dobësi, dhimbje kockash dhe gurë në veshka. Një alternativë e përballueshme ndaj ilaçeve të shtrenjta. Shumica e pjesëmarrëseve në studim kishin nivele të ulëta të vitaminës D, të cilat përcaktohen si më pak se 20 nanogramë për mililitër gjak (ng/ml). Shoqata Braziliane e Reumatologjisë rekomandon nivele mes 40 dhe 70 ng/ml.
“Me anë të suplementeve, nivelet e vitaminës D u rritën gjatë trajtimit me kimioterapi, gjë që përforcon rolin e mundshëm të saj në shërimin e pacientëve. Vitamina D është një opsion i përballueshëm dhe i lirë krahasuar me ilaçet e tjera që përdoren për të përmirësuar përgjigjen ndaj kimioterapisë, disa prej të cilave nuk përfshihen as në listën e barnave të sistemit publik shëndetësor të Brazilit (SUS)”-thekson Carvalho-Pessoa.