Me takimin e së dielës ndërmjet Vllaznisë dhe Dinamos, Superliga e volejbollit për femra ka kompletuar javën e katërt të kampionatit. Pasi e kishin lëshuar kreun për 24 orë, vajzat blu rikthehen të komandojnë klasifikimin, teksa në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” shënuan suksesin e tretë sezonal, në po kaq takime të zhvilluara. Skuadra e drejtuar nga Orlando Koja triumfoi me rezultatin 1-3 në një sfidë që zgjati 1 orë e 56 minuta. Dinamo e nisi mjaft mirë lojë, duke fituar bindshëm setin e parë në shifrat 19-25. Në të dytin superioriteti i mikeve ishte edhe më i madh, me kryeqytetaset që fituan thellë, 10-25, për të kaluar në epërsi të dyfishtë setesh. Por vajzat blu u relaksuan më shpejt sesa duhej, duke marrë edhe ndëshkimin e merituar në fraksionin e tretë të lojës, me Vllazninë që fitoi 25-23, për të ngushtuar në 1-2 me sete, duke i shkaktuar Dinamos edhe setin e parë të humbur këtë sezon. Megjithatë 20 herë kampionet e Shqipërisë reagojnë mirë në setin e katërt, të cilin e marrin 19-25, duke vulosur edhe fatet e të gjithë ndeshjes, për të vijuar ecurinë me pikë të plota në kampionat.
TIRANA – SKËNDERBEU
Provë forcë e vajzave bardheblu kundër ekipit korçar në takimin e zhvilluar të shtunën në sallën “Farie Hoti”. Kampionet në fuqi triumfuan me rezultatin e pastër 3-0, duke arritur kështu fitoren e tretë në kampionat. Skuadra e drejtuar nga Adrian Gorenca i mbylli llogaritë për 1 orë e 17 minuta lojë kundër Skënderbeut. Tirana i tregoi menjëherë muskujt, duke shpërthyer që në setin e parë, ku triumfoi thellë, 25-13. I dyti ishte më i ekuilibruar, me vendëset që fituan ngushtë 25-22. Në setin e tretë Tirana e kontrolli lojën me qetësi, ndërsa Leda Preçetaj ishte protagonistja e “match point”-it, duke vulosur setin 25-19 dhe të gjithë takimin 3-0 në favor të 21 herë kampioneve të Shqipërisë. Turkja Sigme Kokmaz, autore e 19 pikëve, ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes, duke udhëhequr ekipin bardheblu në këtë sukses, mbështetur nga Sara Malaj me 11 dhe Enkeleda Braho me 10. Për Skënderbeun nuk mjaftoi braziliania Izabela Da Silva, autore e 12 pikëve.
LEXO EDHE: Marquez, “legjenda” mbi dy rrota/ Piloti i madh spanjoll u shpall kampion i botës në Moto GP!
POGRADECI – KORABI
Asnjë surprizë në ndeshjen tjetër të së shtunës mes Pogradecit dhe Korabit, dy ekipe me ambicie të ndryshme, me liqenoret që luajnë për trofe, ndërsa dibranet për mbijetesë. Skuadra juglindore nuk lëshoi asgjë në shtëpi, duke dominuar totalisht në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Arefi Berberi”. Pogradecit i mjaftuan vetëm 58 minuta lojë, për ta vulosur triumfin me 3 sete. Skuadra e Besnik Lishës ishte superiore në çdo aspekt dhe këtë e tregojnë më së miri vetë diferencat e jashtëzakonshme në rezultatet e seteve. Kështu Pogradeci mori setin e parë 25-5, të dytin 25-9, ndërsa e kompletoi punën, duke fituar edhe setin e tretë 25-14, për të regjistruar suksesin e tretë në kampionat. Nga ana tjetër, Korabi pësoi humbjen e tretë, ndërsa ende nuk ka marrë asnjë set deri më tani. Ndërkohë në takimin hapës të javës, Partizani mposhtu Teutën me rezultatin e pastër 3-0, ndeshje e zhvilluar të premten në “Asllan Rusi”.