Aktualitet Live From Tirana

Vota e Diasporës/Celibashi: “Mbi 48 mijë shqiptarë që banojnë jashtë, të interesuar të votojnë!”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ai diskutoi më shumë mbi Votën e Diasporës, rëndësinë që ka ky proces dhe çfarë pritet të ndodhë në zgjedhjet e 11 Majit…

A kanë dëshirë shqiptarët që jetojnë jashtë për të votuar?

Këtë nuk di ta them, por kemi një shifër prej 48 mijë aplikimesh deri më sot, për 10 ditë në portalin e KQZ. Kjo është një shifër e lartë që tregon një interes të votuesve. Është një moment historik dhe deri tani duket se gjërat duket se po shkojnë mirë. 

Mund të quhet arritje Vota e Diasporës?

Është arritje sepse u jep mundësinë 1.1 milionë shqiptarë që banojnë jashtë, që të votojnë. Nuk e kanë pasur të gjithë mundësinë të vinin e të votonin në zgjedhjet e kaluara. Me sistemin e votimit nga jashtë është krijuar kjo mundësi dhe është një rast i mirë që të gjithë ata që jetojnë jashtë të votojnë, nëse kanë interes.

Ekziston mundësia e blerjes së votës?

Risku ekziston, nuk mundet të themi që është zero. Por vetë rrethanat objektive ku zhvillohet procesi i votimit, këta votues janë më të imunitizuar ndaj blerjes së votës. Por nuk mund të thëmi me siguri.

A ka kosto të lartë ky proces?

Ka kosto. Rreth 5 milionë euro paguhen nga shteti shqiptar për të mbuluar koston e dërgimit dhe rikthimit të fletës së votimit.

Si pritet të jenë këto zgjedhje për shqiptarët që jetojnë këtu?

Ka marrë fokus votimi nga jashtë por KQZ po vijon të gjitha përgatitjet për votimin brenda vendit. Nuk do ketë dallim të madh nga ana e procedurave nga zgjedhjet e kaluara.

Si KQZ, nuk do preferonim të përfshiheshim në kacafytjen politike, por të shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim më të mirë të lidershipeve politike mbi atë se si duhet ta qasin fushatën e tyre elektorale. Një vetëpërmbajtje e shtuar do të ishte e shëndetshme për klimën politike, por ata janë mjaftueshëm të maturuar dhe dinë shumë mirë se çfarë bëjnë.