Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri të 67-vjeçarit Dod Mamli, dje në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Mamli u ekzekutua me pistoletë dhe nga hetimet u konkludua se krimi ndodhi për motive pronësie.
Kurbin
Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje.
Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D.T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D.M.
Shërbimet operacionale dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë vijuar përgjatë natës kontrollet për kapjen e autorit të dyshuar, por dhe si pasojë e errësirës nuk u bë e mundur gjetja e tij.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë zonën dhe po kryhen veprime të tjera hetimore me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.