Aktualitet

Vrau 27-vjeçarin teksa po në rrugë, Sadik Llani ende në arrati!

Mbetet në arrati 39-vjeçari Sadik Llani, autor i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, dje në Kamzë. Përmes verifikimit të kamerave të sigurisë, Policia e Tiranës arriti të gjurmojë itineratin e tij drejt Liqenit të Bovillës.

Mbrëmjen e djeshme, forcat RENEA kryen kontrolle në rreth 15 objekte, por nuk zbuluan gjurmë të 39-vjeçarit. Krahas zonës së Liqenit të Bovillës policia zhvilloi kontrolle edhe në atë malore të Krujës.

Brenda makinës pranë Liqenit të Bovillës, nuk janë gjetur sende të kundërligjshme. Për zbardhjen e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje 8 persona, por nuk jepen detaje për grupin hetimor.

Ngjarja e rëndë ndodhi në afërsi të një kalçetoje, ku dyshohet se viktima dhe autori kishin një debat më herët e Llani, pasi e ndoqi me automjet, nxori armën e zjarrit dhe e qëlloi Baloshin, teksa ky i fundit po ecte në rrugë.

Baloshi u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por bluzat e bardha thanë se ai shkoi pa shenja jete te Trauma.